Një murale përkujtimore është realizuar në qytetin e Vlorës në nder të Luan Llanajt dhe Tomor Mbratit, dy të rinj të cilët humbën jetën tragjikisht më 1 qershor, pas një aksidenti me motor. Vepra është ngritur në vendin ku ndodhi aksidenti fatal dhe është ideuar nga miq të afërt, shokë klase dhe bashkëmoshatarë të dy viktimave.
Për realizimin e muralit kanë kontribuar aktivisht edhe nxënës të shkollës Industriale “Pavarësia”, ku Luan dhe Tomori ishin nxënës të rregullt. Ata ishin të njohur si djem të përkushtuar ndaj mësimeve, të qetë dhe të aftë në profesionin që ndiqnin. Sipas të afërmve dhe miqve, të rinjtë punonin në një servis për të ndihmuar familjet e tyre, dhe ishte pikërisht nga rroga e parë e kësaj pune që ishte blerë motori që do t’u merrte jetën.
Aksidenti ndodhi teksa dy të rinjtë po ktheheshin në shtëpi. Ata humbën kontrollin e mjetit dhe goditën një shtyllë ndriçimi rrugor. Si pasojë, 19-vjeçari Luan Llanaj ndërroi jetë në vend, ndërsa i mituri Tomor Mbrati u transportua fillimisht në spitalin e Vlorës dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Në vendin e ngjarjes, edhe sot janë të pranishme shenja të aksidentit, tufa me lule dhe qirinj të ndezur në kujtim të dy të rinjve. Murali i realizuar për ta është kthyer në një pikë ndalese për qytetarët dhe të afërmit që kërkojnë të nderojnë kujtimin e tyre.