Kryeministri i Kosoves, Avdullah Hoti ka thënë se nga sot hyjnë në fuqi masat e reja kundër koronavirusit, ku do të kufizohet lëvizja dhe dalja nëpër kafene.
“Masat e reja kundër covid-19 hyjnë në fuqi të hënën, 6 korrik 2020.”, ka shkruar ai.
Insitucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen ta reduktojnë numrin e të punësuarve vetëm në nivel të stafit të domosdoshëm (institucionet përkatëse do të sqarojnë me qarkore të veçanta se çfarë paraqet staf të domosdoshëm për to).
Institucioneve shëndetësore publike dhe private u rekomandohet t’i reduktojnë shërbimet shëndetësore joesenciale. Kërkohet nga të gjitha komunat t”i riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale.
Nga data 6 korrik 2020, të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme):
Iu ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës;
Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën prej 1.5 metrash hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet take-away (merre me vete).
Të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taksi) të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.
Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse shëndetësore duhet të ndërtojnë strategji adekuate mediale për informim të qytetarëve.
Në përputhje me kërkesat e Inspektoratit Sanitar, të gjitha inspektoratet e tjera i vënë në dispozicion kapacitetet e veta për të mbikëqyrur zbatimin e masave në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ministria e Shëndetësisë do përgatisë “Planin e veprimit për zbatimin e procedurave të testimit me Covid 19” dhe ta sjellë për miratim në Qeveri brenda një jave.
Ministria e Shëndetësisë përgatit dhe dorëzon në Qeveri në baza javore raportin për zbatimin e këtij vendimi.
Institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi.
Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe i njëjti vlen deri në një vendim tjetër. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet çdo dispozitë e mëparshme që bie në kundërshtim me dispozitat e këtij vendimi.