Hyseni: Masat e sigurisë nuk kanë të bëjnë me ndonjë kërcënim konkret

Masat e shtuara të sigurisë në Kosovë, nuk ndërlidhen me ndonjë kërcënim konkret, por kanë si qëllim ofrimin dhe garantimin e sigurisë për qytetarët gjatë festës së Pashkëve, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni.

Nga dita e enjte, vërehet shtim i numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nëpër rrugë, sheshe, qytete dhe pranë objekteve të ndryshme fetare.

Ministri Hyseni ka theksuar se situata e përgjithshme e sigurisë në vend vlerësohet stabile dhe pa asnjë shenjë përkeqësimi. Kështu që, sipas tij, qytetarët nuk kanë nevojë për panik.

“Duke pasur parasysh zhvillimet e ndryshme, aktet e ndryshme terroriste në Stokholm, Dortmund dhe gjithandej Evropës, është krejtësisht e natyrshme që institucionet e sigurisë t’i shtojnë masat gjatë festave të ndryshme, ose gjatë festave fetare”.

“Kjo bëhet për të shtuar sigurinë dhe assesi për të krijuar panik. Pra, qytetarët në vend që të mos ndjehen në panik, duhet të kenë një ndjenë më të fortë të sigurisë, sepse këto masa të sigurisë shtohen që atyre t’u mundësojnë një festim të lirë dhe pa asnjë brengë”, ka thënë Hyseni.

Nisur nga disa informacione që posedonin organet e sigurisë në Kosovë dhe rajon, Këshilli për Siguri i Kosovës, kishte njoftuar se ka kërcënime që drejtoheshin kundër bartësve të institucioneve të shtetit dhe kundër objekteve qeveritare e fetare në Kosovë.

Por, ministri Skender Hyseni tha se angazhimi i policisë edhe sot do të jetë sikurse edhe viteve tjera, në festa të ndryshme.

“Prandaj këto masa nuk lidhen me asgjë konkrete, me asnjë kërcënim konkret. Por, është shtim rutinë i masave të sigurisë karshi festës fetare kësaj radhe. Nëse iu kujtohet, apriori gjatë festave të ndryshme bëjmë kësi lloji veprimesh, bëjmë shtim të masave të sigurisë. Policia e Kosovës i bën vlerësimet e saj profesionale dhe mbi vlerësimet profesionale edhe vlerëson masat”, ka thënë Hyseni.

Për dallim nga ministri Hyseni, ekspertë të çështjeve të sigurisë, thonë se ka kërcënime dhe se Kosova po ndërmerr masa parandaluese.

Agim Musliu, ekspert i kësaj fushe, ka thënë se që sipas informacioneve të siguruara nga institucionet e sigurisë ekziston një kërcenim real sa i përket festës se Pashkëve, për ndonjë veprimi eventual. Për këtë arsye thotë ai, janë shtuar edhe masat e sigurisë në territorin e Kosovës.

Megjithatë, Musliu shprehet se qytetarët nuk duhet të shqetësohen dhe të mbështeten në organet e sigurisë se Kosovës.

“Kërcënimet eventuale mund të jenë të aspektit fetar, por edhe ato të sigurisë së personaliteteve të shquara dhe qytetarëve të Kosovës”.

Këto masa janë masa preventive për parandalimin eventual të çdo vepre kriminale. Por, mesazhi që duhet të marr qytetari i Kosovës është që duhet të kemi plotësisht mbështetjen e Policisë se Kosovës dhe instrumentit të sigurisë dhe të mbështetemi në punën dhe veprimin e tyre .Dhe, thjeshtë të mësohemi të jetojmë me rreziqe potenciale sikurse e gjithë bota e qytetëruar“, ka thënë Musliu për Radion Evropa e Lirë.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa,të premten, ka thënë se “është kërkuar një vigjilencë më e madhe, një prezencë më të madhe, një aktivizim më të madh të të gjitha organeve të sigurisë”.

“Kemi kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ato të ndërmarrin masa ndaj individëve të cilët e rrezikojnë rendin kushtetues dhe e rrezikojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Kurse, ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, përmes faqes zyrtare, kanë këshilluar qytetarët amerikanë të kenë kujdes të veçantë gjatë pushimeve të ardhshme fetare (Festën e Pashkëve) dhe gjatë pjesëmarrjes në festivale apo ngjarje të caktuara.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme