I akuzuari mohon se falsifikoi dokumentin për të përfituar pensionin e veteranit

I akuzuari për veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, Afrim Morina, është deklaruar i pafajshëm, në seancën e së mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Lumturije Vuqetaj, i akuzuari Morina, ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë nuk e ndi veten fajtor se unë edhe sot e gëzoj pensionin e veteranit në shumë prej 170 euro”, ka thënë i akuzuari Morina.

Meqenëse, ai nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Ahmet Rexhaj e ka udhëzuar atë që në afat prej 30 ditësh, të paraqesë kërkesë për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

Ndryshe, para leximit të aktakuzës, prokurorja Vuqetaj, ka bërë përmirësimin e aktakuzës, ku në dispozitiv ka shtuar si të dëmtuar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), si dhe dëmin e shkaktuar nga ana e të akuzuarit në shumë prej 3.740 euro.

Ajo po ashtu ka kërkuar që në aktakuzë të shtohet edhe propozimi për shqiptimin e dënimeve plotësuese dhe atë urdhrin për kompensimin e humbjes apo dëmit dhe urdhrin për publikimin e aktgjykimeve.

“Këto dënime plotësuese i propozoj mbi bazën se meqenëse dëmi është  i konstatuar, për hir të ekonomizimit të procedurës, në aspektin procedural civil, me procedurë penale mund të urdhërohet i pandehuri që të kompensoi të dëmtuarën dhe njëkohësisht publikimi i aktgjykimit është në interes të opinionit, që të publikohen aktgjykimet e tilla meqenëse kemi të bëjmë me një ndër çështjet më të ndjeshme që janë ballafaquar institucionet tona”, ka thënë prokurorja Vuqetaj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 6 maj 2019, Afrim Morina akuzohet për veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme” se me 23 janar 2017, në kohë të pacaktuar, në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, zyra në Pejë, pranë MPMS-së, e ka vënë në lajthim organin kompetent të lartcekur.

Në akuzë thuhet që i pandehuri duke e prezantuar dokumentin e falsifikuar, kinse është veteran luftëtar i UÇK-së, ka arritur të përfitojë statusin e veteranit, duke e marrë pagën prej 170 euro, për çka të dëmtuarës MPMS-së, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 3.740 euro. /BetimirpërDrejtësi

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme