Është arrestuar në Britaninë e Madhe 34-vjeçari shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Edison Muceku.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar ndaj Mucekut masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në formë të veçantë dhe në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Policia njofton se Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Manchester, po vijon procedurat për ekstradimin e Mucekut drejt vendit tonë.
Kujtojmë se emri i Edison Mucekut ishte pjesë e listës së megaoperacionit të SPAK në maj të vitit 2024, ku u lëshuan 50 urdhër arreste për emrat më të njohur të botës së krimit në vend.
Policia e Shtetit
Vijon bashkëpunimi me homologët për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet nga autoritetet britanike, pas shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shtetit, operacioni policor i koduar “Another”.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve britanike, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. M., 34 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në formë të veçantë dhe në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Manchester, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë.