Kush është më i lumtur? Ai që jep apo ai që merr? Vështirë ta thuash, të paktën pa e provuar. Nisur nga përvoja e atyre që e kanë përjetuar, shumë veta do thoshin se më i lumtur është ai që dhuron.
Historia e jashtëzakonshme e rrëfyer këtë të diel tek rubrika “Ka një mesazh për ty” ka pasur në fokus pikërisht “dhurimin” si akt i pa çmuar i një vajze të re nga Tropoja e quajtur Gentjana Sylaj. Ajo i’a ka dalë të shpëtojë jetën e një personi duke i dhuruar një pjesë të mëlçisë së saj. Deri në ato momente Lulëzimi ishte një person thuajse i pa njohur për të. Por për këtë veprim të rrallë ajo e kishte dhe një motiv të fortë.
Një vit e gjysmë më përpara Lulëzimi diagnostikohet me kancer në mëlçi. Ai kishte pesë vjet që vuante nga ciroza por gjatë një vizite doli që ishte një masë tumorale që kishte filluar të zhvillohej dhe për fat të keq ishte kancer. Mjekët i kishin dhënë vetëm gjashtë muaj jetë. Lajmin e hidhur atij i’u desh ta përballonte vetëm sepse bashkëshortja e tij Pranvera gjendej tek vajza Lorina në Egjipt. Kjo e fundit ishte e martuar me shtetas egjiptian dhe në atë kohë priste të lindte një fëmijë. Nënë e bijë u shokuan nga lajmi që morën nga Shqipëria. Fati deshi që atë ditë në shtëpinë e Lorinës në Kairo gjendej xhaxhai i bashkëshortit të saj i cili rastësisht ishte mjek, kirurg i specializuar për transplantet në mëlçi. Në rast të ndonjë ndërhyrje kirurgjikale, të paktën ata kishin një person të besuar ku të mbështeteshin. Por deri në atë ditë ankthi për të shpëtuar jetën e Lulëzimit ishte i madh tek familja e tij. Nga tronditja, bashkëshortja kaloi në parainfarkt. Lulëzimit filloi t’i kalonte jeta përpara syve.
Lorina përpiqej ta mbante veten e të gjente rrugën e duhur për të kryer transplantin e të atit, ndërhyrje e cila ishte shumë e vështirë. Problemi i parë ishte dhuruesi, grupi i gjakut i të cilit duhej të përputhej me atë të Lulëzimit. Më pas ishin një sërë analizash dhe testesh mjekësore të cilat duhej të dilnin me sukses. Një tjetër kriter po aq i rëndësishëm ishte aspekti ligjor. Një shtetasi egjiptian nuk i lejohej të dhuronte mëlçinë për një shtetas të huaj. Këtë pengesë ligjore e kishin dhe vende të tjera. Përveç kësaj duhej të vërtetohej dhe lidhja e gjakut mes dhuruesit dhe marrësit të organit. Për shkak të kohës së limituar dhe avancimit të sëmundjes, ndërhyrja duhej kryer sa më shpejt. Ishin katër persona të cilët u ofruan vullnetarisht që të dhuronin një pjesë të mëlçisë së tyre për të shpëtuar jetën e Lulëzimit. Dy miq egjiptianë të Lorinës kryen të gjitha analizat dhe ishin të gatshëm të dhuronin atë pjesë të mëlçisë së tyre për Lulëzimin por shteti ua ndaloi. Po ashtu ishin dhe dy miq të tjerë të familjes së tyre që shprehën gatishmërinë për të qenë donatorë por pengesat ligjore e shëndetësore ua pamundësuan këtë dëshirë. Trauma më e madhe për familjen ka qenë kur një mikeshë e tyre, megjithëse u tregua e gatshme, shkoi në Egjipt dhe do i dhuronte mëlçinë Lulëzimit, në momentet e fundit mjekët konstatuan se organet nuk përputheshin 100% me njëra – tjetrën.
Pas disa kohësh, atëherë kur thuajse të gjitha shpresat ishin shuar, rastësia e lidhi Pranverën me një vajzë nga Tropoja e quajtur Gentjana Sylaj, e cila jo vetëm që i dha jetë Lulëzimit por ndryshoi jetën e gjithë familjes së tij. Kjo vihej re më së miri në fytyrën e të treve teksa flisnin për Gentën e cila me guximin dhe bujarinë e saj vendosi të ishte ajo donatorja e mëlçisë. Gjithçka kishte nisur nga një takim rastësor në parukerinë e lagjes. Atë ditë Pranvera nuk ishte ajo zonja e qeshur e plot batuta siç ishin mësuar ta shikonin më parë. Genta mëson nga parukierja se Pranvera po përballej me sëmundjen e të shoqit që mund t’i rrezikonte jetën dhe me një sërë dështimesh për të gjetur donatorë për mëlçinë. Pa u menduar gjatë, ajo kishte pyetur për grupin e gjakut të Lulëzimit.
“Çfarë grupi gjaku ka? Grupi A? Ia dhuroj unë”. Të marrësh një hap të tillë për një person që nuk kishte lidhje farefisnore është më shumë se fisnikëri. “Kur e mora vesh që Genta kishte shprehur dëshirën për t’i dhuruar një pjesë të mëlçisë Lulit, desh vdiqa”, shprehet Pranvera. Nga ajo kohë Genta u bë pjesë e pandarë e familjes së Lulëzimit aq sa ata e konsiderojnë si vajzën e tyre. Ata u shprehën se Genta nuk ka pasur për asnjë moment mëdyshje për veprimin që do kryente. Madje vendimin për të qenë ajo donatore nuk e kishte ndarë as me familjen e saj. Familjes Haxhiaj iu desh shumë punë që të bindnin autoritetet egjiptiane se rasti i dhurimit të mëlçisë për Lulëzimin nuk ishte një “shitje organi” por dhurim me vullnet të plotë. Genta shkoi në Egjipt dhe pas një faze të gjatë para përgatitore erdhi dita e operacionit. Pas 16 orësh në sallë, mjekët dhanë lajmin e mirë se gjithçka kishte dalë me sukses. Genta ia kishte dalë të shpëtonte një jetë. Në shenjë mirënjohje për aktin e rrallë që ajo ka kryer, familja Haxhiu e kishin sjellë Gentën tek “Ka një mesazh për ty” që kjo histori frymëzuese të ishte e tillë edhe për teleshikuesit. Stafit i është dashur një punë bindëse e madhe që ta sillnin Gentën në studio. Duke e parashikuar që mund të ishte familja Haxhiaj që e kishin ftuar në emision, ajo ka pasur hezitim për të ardhur, që përtej modestisë ishte edhe ndrojtje kundrejt familjarëve të saj të cilët po e mësonin këtë të vërtetë për herë të parë nëpërmjet ekranit.
Megjithatë Genta është ndier shumë e emocionuar kur përballë saj ka parë familjen Haxhiaj. Lotët e gëzimit, batutat e fjalët e ëmbla mes dy palëve, shprehnin më së miri lidhjen e fortë që ekziston tek ata. “Dikur një person e ndaloi kompozitorin e madh Bethoven në rrugë dhe i tha: dale të të përqafoj një herë që të kujtojnë bota se edhe unë jam dikushi. Prandaj hajde të të përqafoj…”, i tha Lulëzimi vajzës tropojane që i ka shpëtuar jetën. “U bëra me tre fëmijë. Ti je vajza ime e dytë”, shton Pranvera.
Një moment prekës që ka përlotur Gentën dhe publikun e pranishëm në studio ka qenë ai kur vajza nga Tropoja ka rrëfyer motivin që e nxiti të kryente një akt të tillë të pa çmueshëm. “E bëra për tim atë!” – i është përgjigjur Genta pyetjes së Ardit Gjebreas. Me zërin që i dridhej ajo ka treguar se ka 8 vite që babai i saj është ndarë nga jeta. Në atë kohë ajo mban mend që Pranvera i ka qëndruar afër dhe kur e ka parë që kjo e fundit po vuante njëlloj, ka vendosur menjëherë që të dalë vullnetare për të shpëtuar jetën e Lulëzimit.
“Kam ndejtur pranë babait për 36 orë duke mos ikur për asnjë moment nga ai me idenë se do të mbijetonte. Mua më ngeli peng që pse ndejta pranë tij dhe nuk bëra diçka që të mbijetonte. Humbja e tij më ka lënë shumë gjurme. Duke dëgjuar që Luli në atë kohë ishte 60 vjeç, po priste për t’u bërë gjysh, im atë iku nga kjo botë 60 vjeç në momentin që fëmijët i kishte rritur dhe duhej të ishte i lumtur…mora vendimin. Jam shumë e lumtur pasi kam shpëtuar një jetë por kam shpëtuar dhe veten time dhe tim atë duke qarë përnatë për të. Jam lehtësuar shumë. Një natë përpara operacionit më doli në ëndërr im atë dhe më tha “jam krenare për ty çika jeme”.
Genta ka pohuar se mamaja dhe vëllai i saj ende nuk dijnë asgjë për operacionin e saj, për faktin që ka shpëtuar një jetë, megjithse ka kaluar shumë kohë. Të gjithë këtë histori që ka ndodhur me transplantin, Genta i’a ka treguar të ëmës sikur kjo gjë ka ndodhur në familjen e një shoqes së saj. Gjatë kohës që jepej emisioni, ishin marrë masa që mamaja dhe vëllai i Gentës të mos ishin duke e parë rubrikën “Ka një mesazh për ty”. Por kjo vetëm për pak kohë sepse me siguri që do marrë fjala dhenë dhe ata do e mësojnë shumë shpejt. Do jetë vetë Genta e cila do detyrohet t’ia thotë të ëmës, megjithse kjo e fundit ka probleme edhe me zemrën. Arsyeja që nuk i’a ka thënë të vërtetën deri më tëni është sepse e dinte që ajo nuk do e kuptonte. Gjatë një bisede mamaja i ka thënë Gentës që “edhe nëse unë do gjendesha në një pozitë të tillë një ditë, nuk do pranoja që ti ta bëjë një veprim të tillë”.
Ardit Gjebrea i ka propozuar Gentës që një ditë të dilnin për drekë me familjen e saj dhe t’ia thonin pak e nga pak të vërtetën mamit dhe vëllait. Një opsion që mesa duket e ka lehtësuar akoma më shumë vajzën tropojane nga kjo “barrë” e rëndë pas asaj të operacionit.
E teksa Genta përqafohej me familjen Haxhiaj, e emocionuar është shprehur se “vërtetë im atë gjendet atje lart por kam gjetur një prind siç ishte im atë”. Ndërsa Pranvera ka shtuar se tashmë kishte dy vajza dhe një djalë. “Lorina ka vuajtur tërë jetën për një motër. Ja ku u bë dhe me motër”, ka përfunduar Pranvera e cila ka përkrah bashkëshortin e saj Lulin, falë aktit të jashtëzakonshëm të Gentës. E gjithë kjo histori e bukur dhe frymëzuese është mbyllur me një batutë që Gentjana i’a bën shpesh Lulëzimit: “Ma mbaj mirë mëlçinë”. Por ashtu siç u shpreh dhe Ardit Gjebrea, “telenovela vazhdon” sepse të gjithë jemi kuriozë të mësojmë sesi do e presin këtë histori e ëma dhe vëllai i Gentës. Me siguri nuk do jetë e lehtë për ta por në fund të fundit duhet të jenë krenarë që kanë një vajzë të rrallë, model dhe shembull për të gjithë shoqërinë.