I dyshuari për sulm ndaj gazetarit Altin Ahmeti, ka dosje në Polici

Gëzim Makolli, personi që dyshohet se sulmoi fizikisht të dielën mbrëma kryeredaktorin e ueb-faqes së Radio Televizionit të Kosovës, Altin Ahmeti, ka kryer më parë edhe vepra penale. Makolli, i cili është zyrtar në Telekomin e Kosovës, nëntë muaj më parë dyshohet se e ka sulmuar gruan me të cilën bashkëjetonte dhe kishte tentuar që ta fshihte rastin. Policia e Kosovës nga burime tjera ishte njoftuar për rastin dhe e kishte arrestuar atë. Ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji.

Ndërkohë, i njëjti të dielën mbrëma dyshohet se ka sulmuar gazetarin Altin Ahmeti. Ahmeti ka thënë se nuk i di motivet pse ka ndodhur ky sulm. Ai ka treguar për gazetën se me të dyshuarin ishte njohur, por siç ka thënë ka dy vjet që nuk ishte takuar me të, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Kam qenë në një kafiteri në kryeqytet, edhe ka ardhur vetë i pesti. Të tjerët janë ulur në dy tavolina të tjera dhe ai ka ardhur dhe më ka sulmuar mua. Nuk e di pse ka ndodhur kjo, nuk kam asgjë personale me të. As nuk kam raportuar diçka për të. Vetëm nëse e ka porositur dikush tjetër”, ka thënë Ahmeti. Ai ka thënë se Policia dhe Prokuroria tashmë i kanë edhe incizimet e lokalit ku shihet rasti i sulmit ndaj tij.

Policia ka bërë të ditur për gazetën se i dyshuari për sulmin ndaj Ahmetit gjendet në arrati, por që Prokuroria është duke hetuar rastin.

“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se derisa kishte qenë në një kafiteri për motive të panjohura ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull K/Shqiptar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore. Viktima si pasojë e sulmit ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës. Policia nuk ka dhënë detaje të tjera rreth rastit në fjalë.

Gazeta nuk ka arritur që të kontaktojë me Makollin.

Sulmi ndaj Ahmetit është dënuar nga Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

“Sindikata kërkon nga organet e drejtësisë që të marrin të gjitha masat ligjore në mënyrë që kryerësit e këtij akti të shëmtuar të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagim.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar se e ka marrë me shqetësim lajmin për sulmin fizik ndaj gazetarit të Radiotelevizionit të Kosovës, Altin Ahmeti.

“Gazetari Altin Ahmeti ka njoftuar se është sulmuar nga pesë persona, të cilët, sipas tij, e kanë kërcënuar me vrasje. Rasti është konfirmuar nga policia, e cila ka njoftuar se janë duke u zhvilluar hetimet. AGK-ja e dënon këtë akt dhe kërkon nga organet e rendit e të drejtësisë që t’i zbulojnë motivet e këtij akti dhe autorët t’i sjellin para drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Në qershor të vitit të kaluar, Gëzim Makolli i cili është zyrtar në ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës, dyshohet se kishte sulmuar gruan që bashkëjetonte me të. Ai ishte arrestuar nga Policia. Ndërkaq, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Gjykata i kishte shqiptuar atij 30 ditë masë paraburgimi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim për G.M. me dyshimin se ka tentuar ta vriste gruan me të cilën bashkëjetonte A.A.. Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit G.M. ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhej në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata e kishte mbështetur vendimin e saj në dyshimet se Makolli mund ta kishte kompromentuar rastin nëse do të sillej i lirë.

“Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ngase nëse i pandehuri gjendet në liri do të mund të pengonte rrjedhën e procedurës penale duke fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat”, kishin thënë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në një njoftim për media.

Makolli ishte i punësuar si sigurim fizik në Telekomin e Kosovës në kohën kur kjo ndërmarrje udhëhiqej nga Agron Mustafa. Makolli ashtu si edhe gazetari Ahmeti kanë miqësi me Mustafën.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme