Shefi i Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti i shpëtoi mirë akuzave për përfshirjen në rrahjen e drejtorit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa. Sulmi, kishte ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar dhe tek tani u ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit Avni Berisha, gjithashtu polic, por jo edhe ndaj të fortit të PK’së, Nazim Sahitit
Të mërkurën Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj policit Avni Berisha, të njohur si “Tarkani”, për rrahjen e Agron Mustafës, drejtorit të Telekomit të Kosovës.
Kryeprokurori i Themelores së Gjilanit, Jetish Maloku ka thënë për Gazetën Express se aktakuza është ngritur më 15 prill të këtij viti ndaj Avni Berishës, ish-pjesëtar i Njësitit të Antidrogës. Por, aktakuzë nuk u ngrit edhe ndaj Nazim Sahitit, për të cilin Mustafa ka thënë se e ka sulmuar fizikisht.
Express ka tentuar të marrë përgjigje nga kryeprokurori edhe për çështjen se Nazim Sahitit, por kryeprokurori më pas ishte i pa qasshëm.
Një javë pas sulmit, Agron Mustafa i pati nisur një letër Ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Flamur Sefajt, duke i kërkuar që përmes autoritetit të tij të veproj urgjentisht mbi Inspektoratin Policor të Kosovës në parandalimin e tentim-devijimit të rastit si dhe fshehjes së fakteve relevante për rastin.
“Për mua është shqetësuese kur lexoj në media dhe dëgjoj nga dashamirë të shumtë që më kanë telefonuar pas sulmit ndaj meje, që Kryeshefi i IPK-së është njeri i afërt i Nazim Sahitit. Për mua është shumë e qartë se pse personi i dytë që asistoi direkt në sulmin fizik ndaj meje, trajtohet në cilësinë e dëshmitarit e jo si i dyshuar! Nuk shoh as edhe një arsye tjetër, përveç ndikimit të drejtpërdrejt të shefit të IPK-së në tentim devijimin e hetimeve dhe fshehjes së dëshmive, me të vetmin qëllim për të amnistuar njërin nga sulmuesit ndaj meje”, thuhet ndër të tjera në letrën që e ka siguruar Gazeta Express, të cilën e ka shkruar vetë Agron Mustafa.
Në anën tjetër, në një bisedë telefonike me avokatin e Avni Berishës, Naim Rudarin, u bë e ditur se Prokuroria nuk i ka lajmëruar zyrtarisht për ngritje të aktakuzës.
“Zyrtarisht nuk jemi njoftu nga prokuroria për ngritje te aktakuzës ndaj Avni Berishës”, tha avokati Rudari për Express.
Në ditën e sulmit, më 30 dhjetor të 2017, Drejtori i Antikrimit në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti, pati thënë për Express se incidenti me Agron Mustafën kishte ndodhur me kolegun e tij, Avni Berishën, duke thënë se ata të dy kanë pasur një mosmarrëveshje.
Sahiti madje pati thënë se nuk ka parë përleshje, por vetëm se njëri shok i Mustafës ishte në shpinën e kolegut të tij. Avni Berishës.
Por, një video më pas e publikuar, ka treguar qartë se në vend të ngjarjes, ndaj Agron Mustafës ka pasur grushtime të shumta, derisa Mustafa ra edhe në tokë nga goditjet.
As ajo video nuk i ka kryer punë Prokurorisë që të hetojë edhe Nazim Sahitin, por e ka intervistuar atë vetëm në cilësinë e dëshmitarit.
Nazim Sahiti, madje menjëherë kur ndodh momenti i rrahjes, ka shkuar në stacionin më të afërt policor për ta denoncuar rastin. Sahiti përmes vartësve të tij, kishte tentuar të zhdukje të gjitha video-xhirimet nga vendi i ngjarjes. Këtë e thënë edhe Agron Mustafa në letrën që i kishte dërguar ministrit të Brendshëm, Flamur Sefajt.
E kalimi i rastit në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, e cila sapo ngriti aktakuzë për Avni Berishën, nuk ndodhi dhe aq rastësisht, pasi Nazim Sahiti, gjithashtu i përfshirë në rrahje, kishte bërë kërkesë në fillim të këtij viti në Prokurorinë e Shtetit e cila fillimisht e kishte rastin, për ta transformuar lëndën në atë të Gjilanit. Dhe, ashtu ndodhi, me gjasë për shkak të lidhjeve të Sahitit me ish-Drejtorin e Përgjithshëm të PK’së Shpend Maxhuni dhe Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Gazeta Express kishte raportuar gjatë muajit shkurt për lidhjet e Sahitit me kreun e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratin e kësaj Policie./GazetaExpress/