Një 42 vjeçar me kombësi nga Izraeli, por shtetësi kanadeze, është arrestuar ditën e sotme në kryeqytet, pasi është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania.
Në pranga ka rënë shtetasi Roy Garin, i cili akuzohet se ka mashtruar në mënyrë të përsëritur. Sipas Kodit Penal të Gjermanisë, kjo vepër penale dënohet deri në 15 vite heqje lirie.
Ai u arrestua në zonën e njohur “Komuna e Parisit”.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Gjermani për ekstradimin e 42 vjeçarit.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale (FAST Albania), operacioni policor i koduar “Operacionalja 25”.
Operacioni, rezultat i bashkëpunimit me Zyrën Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA) dhe i koordinimit nga rrjeti ndërkombëtar ENFAST.
Ndalohet në Tiranë, një shtetas i akuzuar në Gjermani, për mashtrim në mënyrë të përsëritur.
Si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, ndërmjet Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale (FAST Albania) dhe Zyrës Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA), nëpërmjet rrjetit ENFAST, u finalizua operacioni policor i koduar “Operacionalja 25”.
Gjatë operacionit, u lokalizua në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”, Tiranë, dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Gjermani, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, R. G., 42 vjeç, me kombësi izraelite dhe me shtetësi kanadeze.
Gjykata e Bambergut, Gjermani ka lëshuar urdhër ndalimi për këtë shtetas, për mashtrim, të kryer në mënyrë të përsëritur, veprimtari kriminale për të cilën Kodi Penal i Gjermanisë parashikon dënim deri në 15 vjet burgim.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 42-vjeçarit, në Gjermani.