Konfirmohet se shqiptari Alvin Berisha është nxjerrë nga kampi i të burgosurve Al Hole që kontrollohej nga kurdët në Siri. Gjithçka erdhi pas një operacioni të shërbimeve të inteligjencës italiane në bashkëpunim me Gjysmë Hënën e Kuqe.
Fotoja që shikoni është e Alvinit i strehuar pranë organizatës Gjysmë Hëna e Kuqe dhe ai tashmë ndodhet i sigurt në Damask. Fëmija duket me një nga përfaqësuesit e organizatë, i lirë dhe i qeshur, ndërsa mban në kokë edhe një kapele.
Historia që theu zemrat
Historia e Alvin Berishës theu zemrat e shumë personave, pasi babai i tij, Afrim Berisha, e kërkonte prej vitit 2014, kur nëna e tij shqiptare, braktisi familjen në Itali ku jetonin prej vitesh dhe e mori Alvinin, në atë kohë 6 vjeç, në kampin Al Haul në Siri, (kufi me Turqinë). Jeta atje u kthye në tragjedi. Nëna e tij shqiptare, që kohët e fundit para se ta rrëmbente nga babai kishte vënë shami, kishte nisur të lutej dhe kishte shfaqur sjellje radikale, kishte vdekur në kamp së bashku me një burrë të huaj që ishte martuar.
Alvini mbeti i vetëm, dhe pas përpjekjeve të shumta të babait të tij, emisioni investigativ “le Iene” arriti të gjejë 11-vjeçarin dhe të bëjnë takimin përlotës mes babait dhe djalit pas 5 vitesh. Por sërish u ndanë me lot: Alvini nuk mund të nxirrej nga kampi nën pushtetin kurd, mbi të gjitha me rritjen e tensioneve mes Turqisë dhe Sirisë. I dëshpëruar, babai i Alvinit ktheu sytë nga shteti shqiptar, ku kërkoi ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama, i cili edhe pse pranoi të ishte një situatë e vështirë, tha se do të bënte gjithçka për ta kthyer Alvinin pranë babait, dhe dy motrave, përmes po një plani me partnerët strategjikë për nxjerrjen nga kampi të Alvinit dhe shqiptarëve të tjerë të bllokuar.
Kampi me mbi 70 mijë persona ka me mijëra fëmijë, shumica e të cilëve kanë lindur aty, dhe gjithçka është në kufijtë e mbijetesës. Al Haël është kampi më i madh në kufi me Turqinë, 29 mijë gra ndodhen aty jo vetëm nga Lindja e Mesme por edhe Evropa, gra luftëtarësh të ISIS.