Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Türkiyes, Öncü Keçeli, njoftoi se i ngarkuari me punë në ambasadën iraniane në Ankara është thirrur në Ministrinë e Jashtme turke, për të shkëmbyer mendime dhe për të adresuar akuzat e bëra nga disa zyrtarë iranianë kundër Türkiyes, raporton Anadolu.
Duke treguar se takohen rregullisht me zyrtarë iranianë dhe shkëmbejnë mendime, Keçeli tha se sot kanë ftuar në ministri të ngarkuarin me punë të ambasadës iraniane në Ankara, në përgjigje të një pyetjeje lidhur me temën.
Keçeli tha se gjatë takimit u diskutuan çështje dypalëshe dhe se u trajtuan edhe akuzat e disa zyrtarëve iranianë kundër Türkiyes.
Ai vuri në dukje se zyrtarët iranianë kohët e fundit i kanë shprehur më shumë publikisht kritikat e tyre ndaj Türkiyes, duke treguar se një dosje e përgatitur nga ministria për këtë çështje i ishte përcjellë më parë palës iraniane.
“Ne besojmë se në çdo rast çështjet e politikës së jashtme nuk duhet të përdoren si materiale për politikën e brendshme. Në këtë kontekst, mesazhet kritike që duhet t’i jepen një vendi tjetër, preferojmë që t’ua përcjellim drejtpërdrejt atyre që u adresohen. Këtë rrugë ndoqëm edhe sot. Ne i kushtojmë shumë vlerë marrëdhënieve tona me Iranin. Forcimi i marrëdhënieve midis Türkiyes dhe Iranit është i rëndësishëm për ne”, tha Keçeli lidhur me rastin.