Në GJKKO ka përfunduar seanca paraprake ndaj deputetit demokrat Asllan Dogjani, i cili akuzohet nga SPAK për fshehje pasurie.
Pas seancës, për mediat, Dogjani është shprehur se kërkesat e tij janë pranuar dhe se gjyqtarja e çështjes vendimin përfundimtar do ta shpallë të premten, 24 janar, ora 10:00.
Dogjani: Vendimi i gjyqtares Rudina Palloj tregoi se ka gjyqtarë të zotë. Uroj që sistemi i drejtësisë të ketë sa më shumë gjyqtarë si kjo sot, që vendosi pavlefshmëri, papërdorshmëri dhe dha një vendim shumë të drejtë. Ajo vendimin përfundimtar do ta japë të premten, por kërkesat tona u pranuan. Sot dha papërdorshmëri, atë që kishim kërkuar ne dhe do të shprehet për pushimin e çështjes ditën e premte.
AKUZA E SPAK
Sipas SPAK, Dogjani ka bërë deklarim të rremë për përfitimin e një apartamenti.
Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.
Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, thotë SPAK.
Ndër të tjera, Prokuroria e Posaçme bën me dije se në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash.
“Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme”, thotë SPAK.