Mjekët në spitalin e Siberisë që trajtuan për herë të parë politikanin e opozitës ruse Alexei Navalny thanë që të hënën ata i kishin shpëtuar jetën atij, por që nuk kishin gjetur gjurmë helmimi.
“Ne i shpëtuam jetën me një përpjekje dhe punë të madhe,” tha mjeku Alexander Murakhovsky para gazetarëve në një konferencë shtypi në qytetin siberian Omsk.
“Nëse do të kishim gjetur një lloj helmi, atëherë do të ishte shumë më e lehtë për ne. Do të ishte një diagnozë e qartë, një gjendje e qartë dhe një kurs i njohur i trajtimit”, tha Anatoly Kalinichenko.
Mjekët rusë mohuan që ata kishin qenë nën presionin e autoriteteve ndërsa trajtonin Navalny, pasi u akuzuan nga aleatët e Navalny po pengonin dërgimin e Navalny në Gjermani.
Lideri i opozitës ruse vazhdon të jetë në gjendje kome në një spital të Berlinit, pas dyshimeve se e helmuan me një çaj gjatë kohës kur do të kryente një udhëtim me avion.
Policia gjermane e ka rritur sigurinë në spitalin në Berlin, ku po trajtohet Alexei Navalny.
Ai arriti në Gjermani më 22 gusht nga qyteti siberian, Omsk, ku avioni me të cilin udhëtonte kishte bërë ulje të detyruar. Deklarata zyrtare nuk ka, por themeluesi i një organizate joqeveritare që mundësoi transportin e tij nga Rusia për në Gjermani tha se gjendja e tij shëndetësore është shumë shqetësuese.
Navalny, kritik i zëshëm i Presidentit rus, Vladimir Putin, humbi ndjenjat më 20 gusht gjatë një udhëtimi me aeroplan. Transferimi i Navalny nga Rusia për në Gjermani u zgjat pak, për shkak se autoritetet ruse thoshin se ai nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore që të udhëtonte.
Zëdhënësja e kreut të opozitës, Kira Yarmysh, tha se ajo beson që Navalny është helmuar pasi ka pirë çajin që e ka blerë në aeroport, në Tomsk.