I shtyhet afati për shkuarje në burg deputetit të komuniteteve Etem Arifi

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herën e dytë me radhë, ka marr vendim që t’i shtyhet shkuarja në vuajtje të dënimit, Etem Arifit. Ky i fundit, është i dënuar me 1 vit e 3 muaj burg për mashtrim me subvencione.

Arifi, i cili vazhdon të figurojë si deputet i Kuvendit të Kosovës, përkundër se ligjërisht këtë mandat tashmë e ka humbur, do të vazhdojë të jetë i lirë të paktën deri më 29 qershor 2020.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka thënë se pas kërkesës së ushtruar nga Arifi për shtyrje të dënimit, gjykata ka vendosur që të njëjtit t’i shtyhet ekzekutimi i dënimit edhe për dy muaj tjerë.

“Me datë 27.04.2020, i dënuari për herë të dytë ka bërë kërkesë për shtyrje, e cila kërkesë me datë 28.04.2020 i është aprovuar për 2 muaj  tjerë. Tani i dënuari E.A duhet që më datën 29.06.2020 të lajmërohet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për të filluar vuajtjen e dënimit me burg”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Në përgjigjen e gjykatës për “Betimi për Drejtësi”, nuk ceket arsyeja se pse i është shtyrë shkuarja në burg deputetit Arifi.

Ndaj Arifit, gjykata me 10 shkurt 2020 kishte lëshuar urdhërese për tu lajmëruar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për të vuajtur dënimin e shqiptuar ndaj tij.

Mirëpo, Arifi me 2 mars 2020 kishte bërë kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit, e cila kërkesë i ishte aprovuar pastaj nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ky i fundit, kishte qenë i pranishëm në seancën e Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 25 mars 2020, ku edhe kishte votuar për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Një gjë të tillë, Arifi e kishte bërë edhe pse sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ai veçse e ka humbur statusin e deputetit të Kosovës.

Kjo pasi që, dënimin me një vit e tre muaj burgim efektiv që i ishte shqiptuar nga Gjykata e Apelit për veprën penale të mashtrimit me subvencione, ia kishte lënë në fuqi edhe Gjykata Supreme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me vendimin e Supremes të marr në fund të muajit janar 2020, Arifit i janë shterur të gjitha mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme për të kundërshtuar dënimin e shqiptuar ndaj tij.

E duke qenë se dënimi i shqiptuar ndaj deputetit Arifi është mbi një vit burgim, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por edhe Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, Arifit i humb edhe statusi i deputetit të Kuvendit.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 70, paragrafi 3, pika 6, thekson se mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Njëjtë thuhet edhe në Ligjin nr.03/L-111 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ku ceket se një deputeti i përfundon para kohe mandati kur ndaj tij është shqiptuar dënim i formës së prerë me burgim në kohëzgjatje për një ose më shumë vjet burgim.

1.6. Nëse me vendimin e formës së prerë të gjykatës dënohet për vepër penale me vuajtje të dënimit për një ose më shumë vjet burg”, thuhet në nenin 8 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, i cili nen flet për përfundimin e mandatit të deputetit.

Megjithatë, sipas ligjit në fjalë, nuk bëhet e ditur nëse deputeti me automatizëm e humb mandatin apo i njëjti duhet të jap dorëheqje. Po ashtu, një gjë të tillë nuk e sqaron as Komentari i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në një rast tjetër, sipas ligjit në fjalë, deputeti e humb mandatin edhe në raste kur bëhet i paaftë për të ushtruar funksionin e tij apo nëse deputeti për gjashtë muaj nuk merr pjesë në sesionet plenare të Kuvendit ose në mbledhjet e komisioneve, ku është anëtar.

Por për këto dy raste, ligji ka paraparë që Komisioni për Mandate dhe Imunitet t’i propozon Kuvendit nxjerrjen e vendimit për përfundim të mandatit të deputetit, e pastaj Kuvendi me dy të tretat e votave të deputetëve të pranishëm të votojnë për përfundimin e mandatit të deputetit.

Për rastet nga nën-paragrafët 1.4 dhe 1.5. të paragrafit 1 të këtij neni vendimin për përfundimin e mandatit të deputetit e nxjerr Kuvendi, me dy te tretat (2/3) e votave të deputeteve të pranishëm, të cilët votojnë sipas propozimit të Komisionit për Mandate dhe Imunitet”, thuhet në Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.

Humbjen e statusit të deputetit të Kuvendit, e ka paraparë edhe Rregullorja e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo rregullore, në nenin 25, pikën d, njëjtë sikurse Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ka paraparë që deputeti e humb mandatin në raste se dënohet për ndonjë vepër penale me një vit e më shumë burgim.

d) Dënohet për një vepër penale me burgim për një periudhë kohore prej një (1) e më shumë vjet”, thuhet në pikën e të nenit 25 të Rregullores e Kuvendit, që flet për humbjen e statusit të deputetit të Kuvendit.

Deri më tani, në ueb faqen zyrtare te Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi vazhdon të figurojë si deputet.

Raste të ngjashme me të Arifit, kishte pasur edhe në të kaluarën, ku ish-deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Fadil Demaku, kishin dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit pasi ndaj tyre ishin konfirmuar dënimet me mbi një vit burg edhe nga Gjykata e Apelit për vepra penale që lidhen me krime të luftës.

Etem Arifi, ishte dënuar më 20 prill 2018, nga Gjykata Themelore në Prishtinë me dy vjet burgim me kusht, pasi ai ishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione.

Me dy vjet burgim me kusht, për të njëjtën vepër penale, ishte dënuar edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Bajram Gashi,

Por, sipas aktgjykimit të shkallës së parë, dënimi ndaj tyre nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepra tjera penale brenda periudhës së verifikimit prej tre vjet pas plotfuqishmërisë së dënimit.

Etem Arifi, akuzohej edhe për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, mirëpo ai ishte liruar nga kjo akuzë, pasi sipas gjykatës së shkallës së parë, nuk është provuar se ai ka kryer këtë vepër penale.

Të akuzuarit ishin obliguar që Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) t’ia kompensojnë shumën prej 22.900 euro si dhe Zyrës për Komunitete në Kryeministri shumën prej 2.749 euro. Ndërsa, në qoftë se ata nuk i kompensojnë këto shuma në afat prej gjashtë muajsh, dënimi me kusht do të revokohet.

E këto dënime të shqiptuara nga shkalla e parë, pas ankesës së prokurorisë, ishin ashpërsuar nga ana e Gjykatës së Apelit, më 28 mars 2019, me ç’rast, Arifit i ishte ashpërsuar dënimi në burgim efektiv prej një vit e tre muaj.

Po ashtu, shkalla e dytë ia kishte ashpërsuar dënimin edhe të akuzuarit tjetër në këtë rast, Bajram Gashit, duke e gjykuar atë me një vit burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata e shkallës se dytë, i kishte obliguar të dy të akuzuarit, që t’ia kompensojnë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në emër të dëmit të shkaktuar shumën prej 22,900 euro kurse Zyrës së Kryeministrit, shumën prej 2,749 euro.

Gjithashtu, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores për sa i përket veprës penale të ushtrimit të ndikimit, për çka deputeti Arifi, ishte liruar nga akuzat nga shkalla e parë, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Por, pasi që mbrojtja e Arifit kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, rasti ishte kthyer në rivendosje nga ana e Gjykatës Supreme në qershor 2019, me arsyetimin se, e njëjta gjykatëse që kishte vendosur lidhur me ankesat në fazën e konfirmimit të aktakuzës, kishte marr pjesë edhe në kolegjin që e kishte nxjerr aktgjykimin në këtë lëndë.

Edhe pas kthimit në rivendosje, Apeli kishte vendosur njëjtë sikurse herën e parë duke ia ashpërsuar sërish dënimet Arifit dhe Gashit.

“Me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore DKR-së në Prishtinë, PKR.nr.740/16 i datës 20.04.2018, në pjesën gjykuese sa i përket vendimit mbi dënimin dhe detyrimisht përkitazi me cilësimin juridik të veprës penale ashtu që kjo gjykatë gjen se në veprimet e të akuzuarve Etem Arifi dhe Bajram Gashi, si në pikën 1 të dispozitivit të aktgjykimit formohen elementet e veprës penale mashtrimi me subvencione nga neni 336, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 2 e 1, e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe për këtë vepër penale i gjykon të akuzuarin Etem Arifi, me 1 vit e 3 muaj burgim ndërsa të akuzuarin Bajram Gashi me 1 vit burgim” – thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Po ashtu, sipas këtij aktgjykimi, Gashit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në ndalim nga 1 korriku 2014, e deri më 3 korrik 2014, si dhe qëndrimi në paraburgim nga 2 qershori deri më 27 korrik 2016, si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga 27 korriku, deri më 27 gusht 2016.

Të dy të akuzuarit janë obliguar gjithashtu që në emër të dëmit të shkaktuar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale t’i kompensojnë shumën prej 22,900 euro ndërsa Zyrës së Kryeministrit shumën prej 2,749 euro në afat prej tre muajve.

Gjithashtu, njëjtë sikurse kishte vendosur edhe herën e kaluar, Apeli e ka anuluar vendimin për veprën penale të ushtrimit të ndikimit për çka akuzohet Arifit, duke e kthyer në rigjykim rastin për këtë vepër.

Sipas vlerësimit të Apelit, shkalla e parë e ka liruar Arifin për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, por në arsyetimin e saj nuk ka jep asnjë arsye të vetme se pse e ka liruar nga akuza.

“Meqenëse, gjykata e shkallës së parë në aktgjykimin e ankimuar të akuzuarin Etem Arifi e ka liruar nga akuza për veprën penale Ushtrimi i ndikimit nga neni 431 paragrafi 1, të KPRK-së, në mungesë të provave është dashur të jep arsyetim përkitazi me bazën ligjore për të cilën e ka liruar, kurse mungesa e një arsyetimi të tillë, paraqet shkelje esenciale të dispozitave procedurale”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në rigjykim, Apeli e ka udhëzuar shkallën e parë t’i eliminojë shkeljet e cekura dhe pas administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre të merr vendim të drejtë dhe ligjor.

E pakënaqur me vendimin e Apelit, mbrojtja e Etem Arifit, i ishte drejtuar sërish Gjykatës Supreme me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, kësaj radhe, kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë i ishte refuzuar nga kolegji i Gjykatës Supreme.

“Ju njoftojmë se Gjykata Supreme ka vendosur lidhur me rastin PML nr. 380/2019 me datë 30 janar 2020. Kolegji i Gjykatës Supreme, ka vendosur që ta refuzojë si të pabazuar, kërkesën për mbrojtje te ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtja e E.A., e ushtruar kundër aktgjykimeve të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe asaj të Apelit.”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme të dhënë për Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Etem Arifi akuzohej se ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyrë shumën prej 25.646.00 euro.

Këto para, sipas prokurorisë, nuk janë përdorur për qëllime për të cilat janë dhënë, por janë përvetësuar nga Arifi dhe Gashi për persona të tjerë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme