BDI ka bërë një lëvizje duke rikandiduar Fatmir Deharin për Kërçovën, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 15 tetorit, por kjo nuk është mirëpritur aspak nga Lëvizja BESA. Kjo e fundit kishte propozuar që për Kërçovën të nxirrej një kandidat jo-partiak e konsensual, mishërim i një pakti shqiptar, për një komunë që maqedonasit aq shumë e synojnë.
Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit lokale, Fatmir Dehari arriti të bëhet kryetar i Kërçovës falë votave të gurbetqarëve të cilët me autobusë dhe aeroplanë udhëtuan enkas për votime, dhe kështu Kërçova mbeti në duar të shqiptarëve.
Rezultati ishte mjaft i ngushtë në epërsi të kandidatit të vetëm shqiptar, BDI-së, kundrejt kandidatit konsensual të VMRO-LSDM-së, 51-49 përqind.
Mirëpo tani nuk është ajo situatë dhe BDI nuk paraqet forcë absolute në këtë rajon, diçka që e dëshmuan edhe zgjedhjet e fundit parlamentare; dhe kjo rrezikon humbjen e Deharit, pra kalimin e Kërçovës në duart e maqedonasve. Ndaj dhe BESA këmbëngulte për kandidat konsensual dhe j-partiak.
Lidhur me këtë zhvillim, deputeti dhe zv/kryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, tha se kjo dëshmon se kredoja partiake e BDI-së qëndron mbi atë shqiptare.
“Në vend që të pranonte ofertën e mërgatës shqiptare, por edhe të partive të tjera shqiptare, veçmas të Lëvizjes BESA, për një kandidat jopartiak dhe konsesual, që të mund ta mbështesin të gjithë kërçovarët, ata janë përcaktuar për arrogancë dhe prepotencë, duke e imponuar një kandidat partiak dhe këtë duke e shitur si interes kombëtar. Kjo qasje infantile dhe joserioze flet se ata mbi interesin kombëtar e kanë gjithnjë interesin e tyre partiak. Sipas tyre, më e rëndësishme është që kandidati të jetë i BDI-së se ai të jetë shqiptar. Madje edhe nëse Kërçova rrezikohet, për shkak të kësaj qasjeje, ata mbase janë më të lumtur ashtu, por vetëm të mos fitojë dikush që nuk është i partisë së tyre. Një mendësi tipike moniste”, tha Ibrahimi.
Ai gjithashtu shtoi se organet e Lëvizjes BESA, në konsultim edhe me strukturat e saj në Kërçovë, do të mblidhen dhe do të diskutojnë për të dalë me një qëndrim konkret në lidhje me këtë propozim, për çka opinioni do të njoftohet me kohë.
Nga ana tjetër ka zëra se edhe Aleanca për Shqiptarët do të dalë me kandidatin e tyre në Kërçovë, ndërsa PDSH ende nuk kanë dalë me qëndrim zyrtarënëse do të mbështesin ndonjërin nga kandidatët shqiptarë, ose do të dalin me kandidatin e tyre. /tesheshi.com