Kastriot Ademi nga Pestova e Vushtrrisë është vrarë në Siri. Lajmin për vrasjen e 23 vjeçarit nga Kosova, prindërit e tij që jetojnë në Gjermani, e kanë marrë dy ditë më parë. Në Pestovë, axhallarët e të riut nuk kanë hapur të pame.
Një i afërm i të vrarit e ka ilustruar me një thënie popullore tragjedinë e të riut. “Shkoi si qeni në rrush”, tha i moshuari.
Kastriot Ademi nga Pestova e Vushtrrisë, ishte rritur në Gjermani, pasi prindërit e tij prej vitesh janë zhvendosur nga Kosova.
Por, kosovari rreth 23 vjeç, ndonëse i ri në moshë, para pak viteve, kishte braktisur jetën në perëndim për t’iu bashkuar grupeve terroriste në Siri e Irak.
Në Gjermani, i riu nga Vushtrria, kishte filluar t’a praktikonte fenë islame, e më pas iu ishte bashkuar rrymave ekstreme që e çuan në ISIS.
Në fundjavën që lamë pas, prindërit e tij kanë marrë lajmin që kosovari është vrarë në ISIS.
Të hënën, në vendlindjen e Kastriotit nuk ka pasur të hapur të pame. Ndonëse, axhallarët e tij jetojnë në Pestovë.
Të vetmit që po vizitojnë familjen Ademi në Pestovë të Vushtrrisë janë gazetarët. Ndonëse nuk po mirëpriten nga ta.
“Qysh je ardhë, ec e grahi. Kush ju tha juve me ardhë këtu?”.
Por, ndryshe nga familjarët e ngushtë të viktimës, një i afërt i tij, i shqetësuar, me një shprehje popullore komenton vdekjen në Siri të të riut.
“Është shku si qeni në rrush”, thotë i moshuari, për Express.
Ai tregohet i habitur se si një i ri, që është rritur në Gjermani, merr një rrugë të tillë ku ka gjetur vdekjen.
Kastriot Ademi është kosovari i 75-të që raportohet të jetë vrarë në Siri, nga 405 xhihadistë nga Kosova që i janë bashkuar ISIS’it e Al Nussras në pesë vitet e fundit.
Sipas statistikave të fundit në Siri e Irak ende ndodhen 196 kosovarë, 133 janë kthyer nga zonat e konfliktit – një pjesë e tyre janë gjykuar po vazhdojnë të përballen me drejtësinë në Kosovë.
Në mesin e 405 xhihadistëve kosovarë, 95 prej tyre janë fëmijë – 41 të lindur në Siri e Irak, ndërsa 58 prej tyre kanë shkuar me prindër.



