Shoqata Patriotike Çamëria përkujton sot “Kongresin Antifashist Çam” i cili dëshmon pozicionin e Shqiptarëve të Çamërisë në luftën e II-të botërore. Në aktivitetin përkujtimor ka qenë i ftuar edhe kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi.
Në fjalën e mbajtur, kreu i PDIU-së shprehet se qeveria aktuale e ka lënë në harresë Çështjen Çame ndërsa ngre varreza dhe përkujtimore për pushtuesit dhe tradhëtarët.
“Ne shqiptarët e Çamërisë jemi në Shqipëri, por kokën e vëmendjen e kemi në Çamëri. Ne nuk jemi ca njerëz që po kërkojmë prona, por ne sa të jemi gjallë do kërkojmë vatanin dhe shtëpitë tona.
Vlerësoj Shoqatën Çamëria për këtë aktivitet për përkujtimin e Kongresit Antifashist Çam.
Ka patur një strategji të tërë për të shpopulluar dhe për të vrarë shqiptarët e Çamërisë, pasi Çamëria është një tokë e pasur me kulturë, tradita por edhe tokë mjaft e pasur. Koha ku jetojmë është mjaft e vështirë. Mijëra shqiptarë janë larguar. Problemet ekzistenciale të njerëzve bëjnë ndonjëherë të pamundur të flitet për Çështjen Çame. Por unë jam i bindur që Çështja Çame nuk do të harrohet.
Për të gjithë shqiptarët e Çamërisë, duhet të kujtojmë sot cili është misioni i tyre. Rruga jonë e vetme është të kërkuarit të vendit dhe vatanit tonë. Qeveria aktuale e ka harruar Çështjen Çame. Ndërkohë qeveria ngre varreza dhe përkujtimore për ushtarët të cilët erdhën dhe na pushtuan.
Përballë të gjithë kësaj strategjie të qeverisë për të na lënë në harresë, ju them që shumë shpejt do të dëgjoni histori akoma më të errëta të qeverisë se si e ka tradhtuar Çështjen Çame.
Ne sot nuk kërkojmë të na shohin as për gjynaf as për mëshirë. Por duhet të fillojnë të kuptojnë që shqiptarët e Çamërisë janë krenarë për pjerardhjen e tyre dhe vatanin që përfaqësojnë.”- tha Idrizi.