Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Ky vendim është arsyetuar me nevojën për adresimin e një numri të madh të ankesave të evidentuara gjatë mandatit të komisionit paraprak, të cilat, sipas deklarimeve publike, kanë ndikuar në besueshmërinë e procesit të provimit.
Megjithatë, IKD-ja vlerëson se ky vendim është haptazi në kundërshtim me ligjin. Anëtarët aktualë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës kanë mandat aktiv deri në dhjetor të këtij viti, mandat ky i përcaktuar me vendimet përkatëse, të cilat janë shfuqizuar nga Qeveria pa asnjë bazë ligjore. Ligji Nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës, në asnjë dispozitë të tij, nuk i jep autorizim Qeverisë që të ndryshojë përbërjen e këtij Komisioni gjatë kohëzgjatjes së mandatit të anëtarëve të tij. Për rrjedhojë, ndërprerja e mandatit në këtë mënyrë, mbi bazën e arsyetimeve të përgjithshme dhe abstrakte, paraqet veprim arbitrar, duke cenuar parimin e ligjshmërisë dhe sigurisë juridike.
Mënyra se si tentohet të ndryshohet përbërja e këtij Komisioni krijon dyshime serioze për ndërhyrje në punën e tij. Këto dyshime shtohen edhe më tej kur kihet parasysh se Ministria e Drejtësisë, në kundërshtim me ligjin, nuk ka shpallur afatet për dhënien e Provimit të Jurisprudencës që nga afati i prillit 2025. Në këto rrethana, ndryshimi i përbërjes së Komisionit nuk mund të shihet i ndarë nga mënyra se si është administruar ky proces nga Ministria e Drejtësisë.
Po ashtu, mbajtja e dy pozitave drejtuese ngre dilema edhe në raport me Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Neni 13.2 i këtij ligji përcakton se zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Sipas të njëjtit nen, zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të. Përballë këtyre dilemave për ekzistimin e konfliktit të interesit, IKD-ja vlerëson se i mbetet Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit që ta shqyrtojë ekzistimin eventual të konfliktit të interesit në rastin konkret.



