Uji i Badocit mund të përdoret edhe për pije, ka njoftuar të martën Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, rezultatet nga analizat e katër ditëve të fundit tregojnë se vlerat e manganit kanë zbritur dhe ato rezultojnë brenda standardeve të paraqitura për ujin e pijes.
“Bazuar në këto rezultate, uji mund të përdoret edhe për pije. IKSHPK-ja i ka rekomanduar KRU ‘Prishtina’ që të vazhdojë mbikëqyrjen dhe trajtimin e ujit dhe të sigurojë ujë në sasi dhe cilësi, sipas standardeve për ujin e pijes”, thuhet në njoftim.
Më 4 tetor, banorët e 26 lagjeve të Prishtinës dhe të zonave përreth saj, që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit, janë njoftuar se nuk do të mund ta përdorin atë për pije, për shkak të pranisë së lartë të manganit.
Ndonëse mangani është mineral që konsiderohet si lëndë ushqyese dhe kontribuon në shumë funksione trupore, prania e tij në sasi më të lartë, sesa ajo e lejuar mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore dhe të ketë ndikim në sistemin nervor qendror të njeriut.