Ilir Meta firmos për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit në Qarkun Tiranë, zbardhet urdhri

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka firmosur sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë, me qëllim verifikimin e punës dhe rolit të secilit anëtar.


I ndodhur në qeli, Meta publikoi përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook urdhrin që ka firmosur.

Në këtë urdhër, Meta kërkon që çdo anëtar i Kryesisë të paraqesë brenda datës 23 Maj 2025 një raport me shkrim mbi aktivitetin elektoral në terren gjatë zgjedhjeve të 11 Majit, përfshirë qendrat e votimit ku ka punuar, rezultatin e tyre, votat personale që ka raportuar dhe ndikimin e tyre në rezultatin përfundimtar.

Gjithashtu, Meta kërkon një raport mbi angazhimin personal ditën e votimit më 11 Maj, si dhe në ditët pasuese të numërimit të votave në Njësinë dhe Qendrën e Votimit që i janë besuar.

“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë,
Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit.

Edhe njëherë faleminderit me mirënjohje të gjithë atyre të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke vijuar me vendosmëri, qëndresë e kurajë t’i prijnë betejës tonë të përbashkët në mbrojtje të kauzave madhore”, shkruan Meta në Facebook.

URDHRI 

Nr. 1, datë 20.05.2025

“PËR ANALIZIMIN E REZULTATIT TË ZGJEDHJEVE TË 11 MAJIT 2025 PËR ÇDO NJËSI DHE QENDËR VOTIMI NË QARKUN TIRANË”

1. Secili anëtar i Kryesisë të paraqesë brenda datës 23 Maj 2025, një raport me shkrim mbi aktivitetin elektoral në terren të zhvilluar në funksion të zgjedhjeve të 11 Majit, qendrat e votimit ku ka punuar dhe rezultatin e tyre, votat personale që ka raportuar dhe reflektimin e tyre në rezultatin përfundimtar.

2. Raport mbi angazhimin personal ditën e votimit më 11 Maj, në Njësinë dhe qendrën e tij të votimit, si dhe në ditët pasuese të numërimit të votave në Njësinë dhe QV e marra përsipër.

3. Raport i posaçëm nga Sekretari për Diasporën mbi aktivitetin e Komisionit të ngritur për verifikimin e votuesve jashtë vendit, votat e identifikuara dhe analizën e rezultatit të votave në diasporë për Qarkun Tiranë.

4. Këto të dhëna të paraqiten te Sekretari i Përgjithshëm, Z. Tedi Blushi, i cili së bashku me Kryetarin e Komitetit Drejtues Kombëtar, Z. Edmond Haxhinasto dhe anëtarin e Sekretariatit për Organizimin, Z. Rexhep Ballmi kanë për detyrë të bëjnë vlerësimin paraprak në bashkëpunim me drejtuesit ose të ngarkuarit e njësive për Qarkun e Tiranës.

5. Më datë 1 Qershor 2025, raportet të analizohen në mbledhjen e Kryesisë.

PRESIDENTI RESIDE ILIR META, PARTIA E LIRISE

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme