Gjykata e Lartë, ka marrë vendimin për të lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili kishte ankimuan në këtë shkallë të drejtësisë kërkesën për zbutje të masës së sigurisë.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici
Ish kreu i shtetit, mbahet i arrestuar prej tetorit të vitit të kaluar, kërkon një masë më të butë sigurie, ku një ndër argumentet e theksuara në rekurs, lidhet më qenien e tij, drejtues i forcës së dytë opozitare në vend dhe situatës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie lidhur me dosjet e bashkuara Cez-Dia, lobimi i ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij.
Për të, Gjykata e Posaçme e shkallës së parë dhe ajo e apelit kanë lënë në fuqi masën e “arrestit në burg”, duke bërë që Meta prej afro 4 muajsh të mbahet i izoluar në paraburgimin “Jordan Misja” në kryeqytet apo siç njihet ndryshe 313-ta.
Edhe Kryemadhi me masë sigurie “detyrim paraqitje” ka depozituar rekurs duke e etiketuar masën të paligjshme.