Një person i panjohur mbrëmë me gurë ka thyer dritaret e selisë së LSDM-së në Gostivar në rrugën “Ilindenska”. Nga MPB, informojnë se është kryer kontroll dhe janë ndërmarrë masa për zbardhjen e tërësishme të rastit.
Gjatë ditëve të kaluara dhjetëra persona kanë protestuar para shtëpive të deputetëve të LSDM-së, për shkak se kanë votuar pro miratimit të ligjit për gjuhët. Tubime ka pasur edhe para shtëpisë së Keti Smilevskas, deputetes nga Prilepi. Protestuesit kanë bërtitur “Tradhtarë”.
Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski, thotë se Ministria ka ndërmarrë aktivitete për sigurinë e të gjithë qytetarëve, jo vetëm për deputetët.
“MPB është duke i ndjekur ngjarjet e fundit dhe gjatë gjithë kohës bëhen vlerësime sigurie. Në bazë të këtyre vlerësimeve MPB ndërmerr masa adekuate dhe aktivitete me qëllim për garantimin e sigurisë për qytetarët e vendit”, tha Toni Angellovski, deputet i MPB-së.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në një emision të TV Telma, i bëri thirrje MPB-së që t’i mbrojë deputetët, pasi që siç tha ai, siguria e tyre është në rrezik. Ai shton se deputetët nuk duhet të ngacmohen.
“Unë e respektoj revoltin, respektoj mosmarrëveshjet, por sulmet ndaj institucionit deputetet nuk lejohet të ndodhë askund, prandaj institucionet duhet të marrin përsipër përgjegjësitë. Askush nuk mund të dalë në rrugë për shkak të bindjeve personale se dikush po bën diçka të keqe dhe në një mënyrë të tillë të debatojë me deputetin”, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të RM-së, raporton Tv21 në Maqedoni.
Pas votimit të ligjit, deputeti i pavarur Ferid Muhiq nga foltorja e Kuvendit deklaroi se “deputetët nuk duhet të lëvizin shumë në publik në mënyrë që mos t’i irritojnë qytetarët”.
“Duke pasur parasysh atë që ndodhi më 27 prill, me kolegët e mi deputetë vendosëm që të qëndrojmë në shtëpi. Nuk do të kërkoj mbrojtje, shumë dramatike është që të mendohet dhe të flitet për një gjë të tillë. Gjëja më e keqe është se mund të ketë elemente serioze, për të cilat duhet të mendohet. Nuk kisha mbrojtje mbrëmë, por u morëm vesh që mos të lëvizim shumë në publik, që mos ta irritojmë popullin”, tha Ferid Muhiq, deputet i Pavarur.
Në natën kur u miratua Ligji, u dogj një automobil i deputetes së LSDM-së nga Vinica, Sllavica Shumanska-Miteva. Gjithashtu tek muret e Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore Shqiptare në Shkup u shkruan grafitë me përmbajtje kërcënuese dhe ofenduese.
Policia ende nuk ka gjetur autorët, por siç thonë prej atje, është duke u punuar për kapjen e kryerësve të veprave.