Incidente të ndryshme, probleme me votimin elektronik e hapje me vonesë të qendrave në Shqipëri

Porsa janë mbyllur qendrat e votimit për zgjedhjet lokale të së dielës në Shqipëri. Por para kësaj, procesi për zgjedhjen e kryetarëve të 61 bashkive të vendit, është shënuar me incidente të ndryshme, probleme në votimin elektronik dhe me hapjen me vonesë të vendvotimeve. E mes problemeve të shumta, kryekomisionari i Komisionit Qendror Zgjedhor në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, numëroi edhe hyrjen në disa qendra votimi të personave të paautorizuar

Me incidente e probleme të mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik në mbi 500 qendra votimi në tri bashki, u përcollën zgjedhjet lokale të së dielës në Shqipëri.Incidenti më i rëndë u regjistrua në Spitallë të Durrësit, ku në një qendër, votimi u ndërpre për 30 minuta, shkaku i një sherri mes mbështetësve të opozitës dhe atyre të Partisë Socialiste, e që përshkallëzoi edhe në përplasje fizike.

Incidente të tilla kur në qendra të votimit janë futur persona të paautorizuar, janë regjistruar disa.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirian Celibashi, në mesditë u detyrua të dalë me thirrjen për institucionet përgjegjëse që të veprojnë e të nxjerrin nga qendrat personat e paautorizuar.

“Është e papranueshme që qytetarët të cilët nuk kanë lidhje fare me ato qendra të votimit ose kanë përfunduar procesin e votimit të vazhdojnë të rrinë në ambientet e brendshme ku votohet. Do të duhet të boshatisen menjëherë”, ka thënë Celibashi.

Celibashi foli edhe për procesin e identifikimit elektronik, për të cilin tha se nuk ka dështuar, me gjithë problematikat e raportuara.

“Duhet të kuptojmë që identifikimi elektronik ka atë rëndësinë që ka dhe natyrisht që ka rëndësi shumë të madhe për atë se çfarë është synuar që të realizojë, por impakti në votim dhe në rezultatet e votimit nuk lidhet aspak me pajisjen elektronike të identifikimit”, ka shtuar Celibashi.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 77 për qind e qendrave të votimit janë hapur në kohë, në orën 7 të mëngjesit, 13 për qind e tyre në orën 7:30 dhe të tjerat pas orës 8, kryesisht për shkak të problemeve me funksionim të pajisjeve elektronike të identifikimit.

Celibashi përmendi edhe probleme të tjera, si fletëvotimet me shenjë në disa qytete, votimet familjare në Velipojë, mungesën e fletëve të votimit në Elbasan si dhe problemet me fshirjen e bojës matrikuluese.

Në zgjedhjet lokale në Shqipëri, të dielën u votua për kryetarë e asamblistë të 61 bashkive.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme