Ministrja e Jashtme e Indonezisë, Retno Marsudi deklaroi se Izraeli dhe aleatët e tij po bëjnë presion mbi vendet muslimane për të normalizuar marrëdhëniet me Tel Avivin, transmeton Anadolu.
Sipas gazetës “Jakarta Globe”, Marsudi foli në konferencën e mbajtur në Universitetin Gadjah Mada (UGM) në Yogyakarta, Indonezi.
Marsudi pohoi se vendet muslimane janë subjekt i presionit të jashtëm në marrëdhëniet e tyre me Izraelin.
“Izraeli dhe aleatët e tij bëjnë përpjekje sistematike për të lobuar dhe për t’u bërë presion vendeve muslimane që të mendojnë për normalizimin e marrëdhënieve të tyre me Izraelin”, tha Marsudi.
Duke thënë se Indonezia vazhdon politikën e saj për të mbështetur Palestinën, Marsudi nënvizoi se vendi i saj nuk ka plane ta ndryshojë këtë politikë.
Marsudi theksoi se Indonezia vazhdon të mbajë linjën e saj të qëndrueshme në mbështetje të Palestinës në përputhje me parimet dhe vlerat universale.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 u vranë 36.439 palestinezë, përfshirë të paktën 15.328 fëmijë dhe 10.171 gra ndërsa 82.627 u plagosën.