“Inklinimi” panshqiptar dhe Shkelzen Maliqi

Autor: Ballsor Hoxha

Derisa në Kosovë e Shqipëri është ndezur debati për bashkim apo veçim ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, tanimë është evidente se personi të cilin historia globale e ka vendosur në rangun e diktatorëve më të tmerrshëm të historisë, po i njëjti person është një ndër figurat më të shquara shqiptare për shumë nga kosovarët. Pikërisht dje është festuar ditëlindja e dikatatorit dhe tiranit Enver Hoxha në Ferizaj.

Disa vite më herët, para se shqiptarët kosovar të fillonin pjesëmarrjen në studiot e Shqipërisë, gjuha shqipe kishte filluar të dezintegrohej në të gjitha dromcat dhe fjalët trendi të perëndimit. Pikërisht në atë kohë kisha dëgjuar për një debat për fjalën – befasi-. Sipas shqiptarëve të Shqipërisë kjo fjalë nuk e arrinte tërë atë që do të thoshte fjala “surprizë” dhe pikërisht për këtë kjo e dyta duhej përdodur nga të gjithë ne.

Inklinim është po ashtu një fjalë neo shqiptare e cila nuk ka të bëjë me kurrfar logjike dhe me kurrfarë kuptimi aktual tonin, është krejtësisht e parëndësishme në nevojën tonë për t’u shprehur, dhe janë tërësisht të mjaftueshme fjalët shqipe: anim, tentim, etj.

Po ashtu edhe analisti i njohur gjithë-shqiptar Shkelzen Maliqi është njëlloj “inklinimi” në vete i një pjese të shoqërisë: anim kah e reja, anim kah urbanja, me një fjalë “inklinim” kah shndërrimi. Sigurisht kjo nuk do të thotë se shqiptarët dhe shqiptarja janë të mallkuara brenda vetes, apo duhet shndërruar çdo fjalë, njeri e dije shqiptare në kullë. Në të vërtetë i vetmi përparim i mundshëm i yni është në shkëmbim me të tjerët, tjetrin e etj.

Do të tingëlloj shumë e çuditshme por pikërisht shkrimi i fundit i Shkëlzen Maliqit është “inklinim” kah super e reja përbrenda sipërfaqes së asaj që përmban shkrimi i tij.

Por të fillojmë nga e para: Shkëlzen Maliqi është i njohur për tërë Kosovën për të kaluar jo të mirë të një familjari të tij. Ai po ashtu është i njohur për irritimin që tërheq figura e tij, gjë për të cilën mendoj se nuk ka fare lidhje me njollën e lartë përmendur. Në të vërtetë ajo që tërheq irritimin e të tjerëve, dhe posaçërisht “katunarëve” dhe “patriotëve” është pikërisht ajo që u tha më lartë: inklinimi i tij, të shumtën e herës, i pabazë për të renë.

Kur një person i cili tërë jetën e tij ia ka borxh mirëqenies (pa ndonjë nënkuptim) nga ish Jugosllavia, thotë se nuk ka komb kosovar, e ka komb shqiptar atëherë diçka ngjanë jo edhe aq e bazuar. Para jo shumë kohe, historikisht, i njëjti Shkëlzen Maliqi ka qenë për një komb jugosllav, dhe logjikisht kjo është saktësisht ajo që kosovarët e druajnë nga ndërrimi dhe shndërrimi i të vërtetës kolektive krejtësisht ad-hoc. Dhe pikërisht durajtja dhe irritimi i kësaj ngarenjde pas të resë.
Kombi kosovar nodshta nuk ekziston shikuar në aspektin sociologjik, por assesi nuk është i mohueshëm politikisht. Ai është brenda një shteti të quajtur Kosovë dhe të pranuar ndërkombëtarisht.

Në anën tjetër, kosovari, cilido qoftë, i vetëdijshëm gjatë vitetve nëntëdhjetë e më herët, ka shumë më shumë të përbashkët sociologjikisht me një kroat a slloven se sa me një shqiptar nga Shqipëria.

Asnjë nga gjenerata e vjetër e kosovarëve nuk ka pasur guximin të ngris zërin kundër dhunës së regjimit socialist në Shqipëri, dhe anasjelltas, tërë ajo që është thënë e bërë për Kosovën është njëlloj kulture më e lartë e manifestuar nga intelektualët e Shqipërisë, njëjtë sikur tash të ngirhet zëri kundër luftës në Siri dikund.

Por ajo që është edhe më e rëndësishme është se të gjitha lidhjet e përbashkëta socio-kulturore bashkëkohore (pra kohën kur janë rritë dhe formuar) ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës nuk janë më shumë se sa që mund të numërohet në gishta. Ndërsa ka shumë më shumë lidhje socio-kulturore ndërmjet maqedonëve, serbëve sllovenëve dhe kosovarëve sa i përket dijes, identiteteve dhe përjetimeve socio-kulturore ndoshta gjatë tërë jetës së tyre.

Po ashtu Kosova është një vend edhe me serbë, romë dhe goranë e turqi. Të mos harrojmë, jo më shumë se njëqind vite më parë turqit kanë qenë armiku më i madh i shqiptarëve e sot kemi yllin që përfaqëson këtë kombësi, dhe për më shumë ka qytete ku të folurit e kësaj gjuhe është shenjë ngritjeje kulturore.

Besoj, duke folur nga aspekti shoqëror dhe kulturor, gjë që është shumë më e rëndësishme se kufinjtë, ne kosovarët, dhe të gjtiha gjeneratat e kosovarëve që kanë jetuar këtu, kanë një histori të ndryshme nga historia e po të njëjtave gjenerata që kanë jetuar në Shqipëri.

Asnjë nga ne as nuk mund ta imagjinoj historinë e vuajtjeve dhe dhembjes së shqipëtarëve të Shqipërisë gjatë kohës së Enver Hoxhës e mëpastaj. Dhe asnjë nga ne as nuk mund të imagjinohet nga shqiptarët e Shqipërisë, aq më pak të imagjinohen serbët dhe kombësitë tjera jo-shqiptare në Kosovë pas luftës.

Dhe nëse nuk mund as të imagjinojmë vuajtjen dhe dhembjen e njëri tjetrit si mund të jemi një komb?
Ne mund të “inklinojmë” kah teoria, apo kah historia, por nuk mund të jemi nji pa pasur përvojë të përbashkët.

Sipas asaj që po ndodh në Kosovë dhe Shqipëri ne kemi arritur njëlloj unisimi socio-kulturor, ndoshta prej dekadës së fundit e këndej, por ne assesi nuk jemi as afër të kemi të njëjtat përvoja politike dhe aq më shumë historike të njëri tjetrit. Pikërisht kjo do të thotë se ky është “inklinim” trendi i një pjese të shoqërisë ndaj këtij fenomeni jo edhe të pamundshëm në aspektin kulturor.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme