Gazetar: Suad Bajrami
Tensione në Komisionin kuvendor për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve, në të cilin po diskutohet për 6 amendamentet që Fronti Evropian ka dorëzuar ndaj ndryshimeve të Ligjit për Inspektoratit të Gjuhëve me të cilat parashikohet që të hiqet statusi juridik. Ndryshimet, i kanë propozuar deputetët e VMRO-së dhe ZNAM-it, ndërsa amendamente ka dorëzuar Fronti Europian.
“Inspektorati si mekanizëm për mbikëqyrje të zbatimit të të drejtës së përdorimit të gjuhëve nuk është institucion i thjeshtë administrativ, por mekanizëm thelbësor kontrollues për respektimin e këtyre të drejtave fondamentale”, deklaroi Sali Murat, deputet i Frontit Evropian.
Nga Fronti Evropian, theksohet që nëpërmjet kësaj ndërhyrje ligjore shumica parlamentare po tenton që të vendos kontroll të plotë duke e vendosur nën Ministrinë e Drejtësisë, duke ia marrë kompetencat.
Megjithatë, deputeti i VMRO-DPMNE-së, tha që me ndryshimet nuk cenohet asnjë e drejtë e askujt.
“Ky ligj, këto disa faqe për të cilat ne sot diskutojmë janë vetëm në drejtim që të punësuarit atje të munden t’i realizojnë obligimet e tyre, gjegjësisht të mundet shteti t’i realizojë të drejtat që i ka ndaj të punësuarve. Në aspekt të asaj që dikush mund të përzihet në punën e atij institucioni, nuk është e saktë”, tha Bojan Stojanovksi, deputet o VMRO-DPMNE-së.
Bekim Qoku, zgjidhja është bërë me urgjencë për shkak të problemeve që ka Inspektorati në funksionimin e tij.
“Ne këtë e sollëm shumë shpejtë për shkak të urgjencës sepse aty siç u tha, janë 4-5 muaj të punësuarit që janë pa rroga, pa sigurime shëndetësore, nuk munden të shkojnë në mjek dhe kjo ka krijuar një problem shumë problem të madh. Tjetra është se aty nuk ka as mjete për shembull, inspektorati dhe inspektorët që të shkojnë të inspektojnë. Pra ta kryejnë detyrën e tyre, për shembull mua më thanë që nuk ka tenderë për karburant, për t’i mbushur makinat dhe për të inspektuar, për të kryer detyrën e inspektimit”, deklaroi Bekim Qoku, deputet i VLEN.
Ndaj kësaj, deputeti Xhaferi tha që problemi megjithatë mbetet te drejtori, pasi nuk e ka kaluar provimin për njohjen e gjuhës angleze,
“Rrogat atje nuk i kanë marrë jo pse nuk ka buxhet, nuk i kanë marrë se nuk ka kush nënshkruan sepse atje nuk ka drejtor. Atje ka pasur një ushtrues detyre që e ka kryer detyrën për gjashtë muaj si ushtrues detyre me kushtin që e ka kryer detyrën dhe kur është dashur që të japë provimin për njohje të gjuhëve të huaja, për të mundur të konkurruar në vendimin përfundimtar që të zgjidhet drejtor me mandat të plotë, zotëriu nuk e ka dhënë provimin dhe nuk mund të zgjidhet”, tha Talat Xhaferi, deputet i Frontit Evropian.
Inspektorati për përdorimin e gjuhëve momentalisht është jofunksional, në kuptimin e plotë të fjalës. Përveç që është lënë pa rroga për më shumë se katër muaj, Inspektorati, siç ka raportuar Alsat, madje nuk ka as letër e ngjyrë për të kryer detyrat elementare. Prej shtatorit të vitit të kaluar, Inspektoratit i janë përgjysmuar edhe zyrat, respektivisht prej 6 në 3 kurse shteti shpërfill ndër vite kërkesën e inspektorëve për një automjet zyrtar. Deri më tani inspektimet në terren, janë bërë me vetura dhe shpenzime private. /Alsat.mk