Gazetar: Suad Bajrami
Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti e ftoi opozitën shqiptare që të mbështesë ndryshimet e Ligjit për Inspektoratit të Gjuhëve të cilat janë bllokuar në Kuvend për shkak se mazhoranca nuk ka shumicë të Badinterit. Mexhiti thotë që kjo do të jetë vetëm fazë e parë me qëllim që punëtorët t’i marrin rrogat e prapambetura, ndërsa më pas do të avancohet statusi i Inspektoratit.
“Mendojmë që më e arsyeshme dhe ka marrëveshje politike që inspektorati i vetëm, Inspektorati i Gjuhëve të kalon në kuadër të Agjencisë së Gjuhëve, por për ta bërë këtë, Agjencinë e Gjuhëve duhet ta ngremë në nivel më lartë si është Agjencia e Ushqimit. Poashtu, politikisht kemi biseduar dhe jemi marrë vesh që për herë të parë ky inspektorat të ketë të drejtën e gjobave të drejtpërdrejta sepse kur e kanë themeluar Inspektoratin e kanë lënë gjysmak, i cili mund të konstaton vërejtje-shkelje dhe në fund për këtë i drejtohet gjyqeve dhe gjyqet vendosin për institucionin që e ka shkelur procedurën,” tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.
Megjithatë nga Fronti Evropian, prej të cilëve aktualisht varet shumica e Badinterit, disa herë janë deklaruar se nuk do t’i votojnë ndryshimet pasi sipas tyre, kjo nuk po bëhen për shkak rrogave, por me qëllim për ta shuar Inspektoratin. Kaosi në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve ndodh për shkak të mungesës së harmonizimit të Ligjit për Inspektoratit me Ligjin për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore. Për këtë ligj të cilin e kishte propozuar VMRO-DPMNE-ja, krahas partnerëve të koalicionit, mbështetje kishin dhënë edhe deputetët e BDI-së. Megjithatë, as shumica parlamentare e as opozita, nuk kishin parashikuar një situatë të këtillë që Inspektoratin ta lënë në mes të katër rrugëve, të paralizuar. Respektivisht, t’i merret statusi juridik me një ligj, ndërsa të ketë status juridik në fuqi me dy ligje të tjerë, respektivisht Ligjin për Gjuhët dhe Ligjin për Inspektoratin. Interpretimet ligjore kanë shkaktuar bllokadë. /alsat.mk