Inspektorati procedon procesverbalin për UT-në

Gazetare: Melihate Rustemi

Inspektorati shtetëror i Arsimit konfirmon për ALSAT se e ka proceduar procesverbalin për parregullsitë e mundshme në konkursin për zgjedhjen e rektorit të ri të Universitetit të Tetovës, dhe ia ka dorëzuar atë Ministrisë së Arsimit për masa të mëtejshme. I pyetur sot për detajet shtesë, nga Inspektorati nuk dhanë sqarime të mëtejshme por ndanë vetëm këtë

“Më datë 22 maj, lidhur me dyshimet për parregullsi gjatë zgjedhjes së rektorit të UT-së, Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka kryer mbikëqyrje inspektuese të jashtëzakonshme. Lidhur me parregullsitë e konstatuara nga mbikëqyrja e jashtëzakonshme inspektuese, në pajtim me kompetencat tona ligjore, është njoftuar edhe institucioni kompetent për procedurë të mëtejshme”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Sipas Inspektoratit, në dijeni për veprim është vendosur edhe vetë ministri i Arsimit në pajtim me nenet 202 dhe 203 të ligjit për Arsim të Lartë. Ndërkohë që inspektorati pranon në këtë letërkëmbim se ka parregullsi të konstatuara, nga ministria e Arsimit plotësojnë për ALSAT se janë informuar për përgatitjen dhe dorëzimin e një procesverbali të tillë.

“Presim edhe reagimin e universitetit dhe MASH do të ndjekë nga afër të gjitha procedurat” thuhet në reagimin e ministrisë së Arsimit”, deklaroi Ministria e Arsimit.

Ndërkohë që konkursi për zgjedhjen e rektorit mbyllet të hënën, më datë 29 maj, nga Universiteti theksojnë se procedura është në përputhje me Ligjin për Arsim të lartë, Statutin dhe akte të tjera të universitetit.

“Në lidhje me pretendimet për procedurën e zgjedhjes së rektorit të UT-së, edhe njëherë theksojmë se procedura është iniciuar dhe zhvillohet në pajtim me ligjin për arsim të lartë, statutin e universitetit të Tetovës dhe akte të tjera të përgjithshme të universitetit, bazuar në autonominë e universitetit, të garantuar me Kushtetutë, ligj dhe statut, në rastin konkret në pjesën e udhëheqjes, respektivisht zgjedhjes së organeve të universitetit”, u shprehën nga Universiteti i Tetovës.

Por, siç zbuloi ALSAT edhe ditë më parë, pavarësisht thirrjes se Senati ka autonomi të veçantë, janë shkelur jo vetëm ligji por edhe statuti i Universitetit, në dy momentet kyçe, kur kandidati duhet të ketë përvojë 15 vjeçare veprimtari si dhe pjesën e dytë që ka të bëjë me faktin nëse ndonjë prej kandidatëve të kishte dhënë dorëheqjen më herët. As në ligjin për arsim të lartë dhe as në statutin e UT-së nuk ka asnjë nen që të lejojë vendosjen e kritereve shtesë, madje sipas statutit, rektori zgjidhet sipas kritereve të përcaktuara me ligjin për arsim të lartë, i cili ka vetëm dy kritere, që kandidati të jetë nga radhët e profesorëve të rregull dhe shtetas i Maqedonisë së Veriut. ALSAT ngriti këtë shqetësim për shkeljen e tagrit të diskriminimit të profesorëve të tjerë të cilët mund ta arrijnë titullin ordinar shumë më herët se sa përvoja prej 15 vjetësh që ka caktuar Senati i UT-së, si dhe shkeljes tjetër, atë të dorëheqjes së mëparshme nga ky institucion. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme