Gazetar: Suad Bajrami
– “Thatë që 17 punëtorë nuk kanë marrë paga, drejtori a ka marrë paga pasi që sot nuk e shohim këtu…
– Mendoj se edhe drejtori nuk ka marrë paga”.
Kjo është përgjigja e punëtorëve të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve të cilët pas pesë muajsh pa rroga e sigurim shëndetësor dhe pensional, sot publikisht kërkuan nga institucionet që të zgjidhin problemin. Pavarësisht njoftimit paraprak, drejtori që udhëheq inspektoratin, Arsim Idrizi, nuk e pa të arsyeshme që të solidarizohet me punëtorët, të cilët theksuan se po u shkelet në mënyrë sistematike dhe serioze e drejta e njeriut. Dhe me këtë, po u përkeqësohet siguria e tyre dhe e familjeve të tyre, për shkak të mungesës së të ardhurave.
“Kjo gjendje na shpie në një pasiguri sociale në luftë ekzistenciale si dhe në zhvlerësim absolut të punës dhe dinjitetit të nëpunësit. Ne jemi njerëz të cilët çdo ditë punojmë, japim rezultate si dhe lëvizim sistemin përpara. Kërkesat tona janë të qarta dhe legjitime. Shlyerje urgjente e pagave të prapambeturave, riaktivizim të sigurimit shëndetësor dhe pensional, ofrim i një zgjidhjeje afatgjate dhe të qëndrueshme që të mos përsëritet kjo gjendje sërish, si dhe funksionim normal të inspektoratit”, tha Fitim Ramadani, Inspektor i Lartë në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve.
Megjithatë, drejtori që nuk gjen kohë për t’i mbështetur punëtorët në kërkesat e tyre për një të drejtë themelore, është mjaft aktiv në aktivitete partiake, të cilat mbështillen me celofanin e interesit të qytetarëve, por që në fakt nuk kanë asnjë pikë takimi me kompetencat dhe përgjegjësitë e tij si drejtor i Inspektoratit të Gjuhëve. Rast i tillë është ai i vetëm para dy ditëve, kur Idrizi në shoqëri të disa funksionarëve partiakë inspektonte ndërtimin e një fushe sportive pranë një shkolle në Ropalcë të Likovës. Madje, Idrizi është pjesë e një spoti pompoz të promovuar në rrjetet sociale.
Idrizi, nuk kishte humbur mundësinë e pjesëmarrjes edhe në një vizitë të delegacionit të funksionarëve të VLEN-it në kufirin e Tabanocit më 23 maj – edhe këtu, pjesë e një videospoti me muzikë dramatike.
Ndërkohë, inspektorati është i paralizuar tërësisht. Krahas problemeve me rrogat, punëtorët me muaj i kryejnë inspektimet me vetura dhe shpenzime private. Veturën e vetme zyrtare që ka ky inspektorat e përdor drejtori.
Fitim Ramadani, Inspektor i Lartë në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve 13:35
“Ju thatë që s’keni marrë rroga dhe inspektimet i keni bërë me shpenzime private pasi inspektorati s’ka automjet zyrtar.
-Po. Realisht ne si inspektorë nuk kemi automjet në inspektorat…
-Inspektorati s’ka asnjë automjet?
-E kemi një automjet, por ai është në shfrytëzim të drejtorit. Realisht ne si inspektorë funksionojmë katër vite, inspektimet jashtë qytetit të Shkupit i kemi bërë me vetura private dhe me shpenzime private.
-Drejtori për çka e shfrytëzon veturën?
-Pyetjet, për drejtorin, është mirë t’i drejtoheni drejtorit”.
Punëtorët e Inspektoratit u shprehën që kërkesa e tyre nuk është as partiake e as politike, por vetëm kërkesë që u takon me ligj dhe Kushtetutë. Ata paralajmëruan se zëri i tyre nuk do të ndalet këtu dhe se nuk përjashtohet mundësia e protestës. Institucionet e arsyetojnë kaosin në Inspektoratin e Gjuhëve me mungesën e harmonizimit të disa ligjeve, atë për Mbikëqyrje Inspektuese si dhe ligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore. Megjithatë, zgjidhja ligjore ka ngecur në Kuvend për shkak mungesës së Badenterit. Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti sot i ftoi deputetët që çështja të mos politizohet. /alsat.mk