Dhjetori i 2016 ka shënuar rritje të çmimeve të ushqimeve dhe pijeve, ku sipas INSTAT kushtuan më shtrenjtë produktet e bulmetit, peshkut, zarzavatet dhe frutat, ndërsa më lirë mishi dhe produktet yndyrore. Ndërsa përgjatë gjithë vitit rritjen më të lartë të çmimet ushqimet e kanë pësuar në muajin gusht.
Çmimet e ushqimeve dhe pijeve janë rritur gjatë muajit dhjetor 2016 me 2.2% kundrjet dhjetorit 2015 ku indeksi ishte 2.0%. Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore krahasuar me muajin Dhjetor 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,6 %, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,3 %, “Argëtim e kulturë” me 2,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,3 %, dhe grupet “Qira, ujë lëndë djegëse dhe energji” dhe “Veshje dhe këpucë” secili me nga 0,9 %.
Sipas INSTAT rritje në grupin e ushqimeve kanë patur produktet e zarzavateve me 18.5 %, sheqeri, recelërat dhe ëmbëlsirat me 6.8%, qumështi, djathi dhe veza me 4.5%, peshku me 3.8%, frutat me 1.9%. Nga ana tjetër ulje të çmimit kanë pasur produktet e vajit dhe yndyrnat, me 1,4 % dhe mishi me-0,6 %. Ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transport” me 0,8 %.
Mesatarja vjetore e çmimeve në 2016 është 1.3%, ku përsëri është grupi ushqimeve dhe pijeve që ka njohur rritje gjatë gjithë vitit dhe me pak rritje çmimeve kanë ndodhur në transporte.
Sipas grupeve kryesore të shpenzimeve vërejmë se përgjatë gjithë vitit, rritja më e madhe e çmimeve për ushqimet dhe pijet joalkoolike ka ndodhur në muajin Gusht me 4,7 % dhe ulja me e madhe për transportet ka ndodhur në muajin prill me -5,3 %.