Institucionet kulturore grumbullojnë vetëm 50 mijë euro në vit

Vetëm tri prej të gjitha institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore kanë arritur të realizojnë të hyra gjatë vitit 2016.

Edhe pse janë simbolike, ka prej atyre që nuk kanë ndërmend as të fusin në plan gjenerimin e mjeteve prej produkteve artistike që ofrojnë për publikun. Teatri Kombëtar i Kosovës bashkë me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” kanë arritur të sigurojnë 50 mijë e 263 euro e 80 centë, por këto institucione bashkë me Baletin Kombëtar të Kosovës, Filarmoninë e Kosovës, Galerinë Kombëtare të Kosovës, ansamblin e këngëve dhe valleve popullore “Shota”, Qendrën Kinematografike të Kosovës e “KosovaFilmin”, kanë pasur buxhet vjetor prej 2 milionë e 539 mijë e 427 eurosh.

Kësisoj i bie që nuk kanë arritur të nxjerrin as dy për qind të buxhetit që kanë pasur në dispozicion për vitin që shkoi.
Teatri Kombëtar i Kosovës ka arritur të mbledhë 13 mijë e 675 si të hyra vetjake, përderisa vetëm për projekte i kishte në dispozicion 340 mijë euro. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren ka inkasuar 13 mijë e 605 euro e Biblioteka Kombëtare ka arritur të sigurojë 23 mijë euro, edhe pse buxhetin për vitin që shkoi e kishte 589 mijë e 932 euro.

Galeria Kombëtare e Kosovës ekspozitat i ofron pa pagesë përderisa për organizimin e tyre ka pasur buxhet prej 155 mijë eurosh. Të hyra nuk kanë realizuar as Qendra Kinematografike e Kosovës, që kishte buxhet prej 749 mijë eurosh, ansambli i këngëve dhe valleve “Shota” me 155 mijë euro, Filarmonia e Kosovës me 315 mijë euro, Baleti Kombëtar i Kosovës me 205 mijë euro dhe Galeria e Ministrisë së Kulturës me 28 mijë e 500 euro buxhet vjetor.

Pos Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, që në buxhet i llogariten edhe pagat e punonjësve, institucionet e tjera buxhetin e ndarë nga Ministria e Kulturës e shpenzojnë vetëm për projekte përderisa punonjësit nuk janë barrë e këtyre mjeteve./Koha Ditore

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme