Institucionet vazhdojnë të heshtin: Si doli nga burgu i dyshuari për vrasjen në Duqanxhik?

Gazetare: Ajnur Bafqari

Institucionet vazhdojnë të heshtin për identitetin dhe arsyet përse ndodhej jashtë burgut personi që, sipas ministrit të Brendshëm, dyshohet se ishte i përfshirë në vrasjen e Amir Muratit në Duqanxhik.

Dy ditë pas deklaratës së Ministrit të Brendshëm, se njëri prej të dyshuarve aktualisht është duke vuajtur dënim me burg, institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë sqarime se si ishte e mundur dalja e tij nga burgu, nëse kishte marrë leje për dalje, nëse bëhej fjalë për ndonjë formë tjetër të lirimit të përkohshëm apo nëse kishte ikur nga burgu.

Edhe nga Burgu i Idrizovës edhe nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve, kërkuan identitetin e personit, duke thënë se nuk mund të japin informacione pa e ditur se për cilin të dënuar bëhet fjalë.


“ Duke pasur parasysh se në pyetje nuk është theksuar person konkret, as nuk janë dhënë mjaftueshëm informacione mbi baza të të cilave do të mund të konfirmohej se për kënd bëhet fjalë, nuk kemi mundësi të japim përgjigje konkrete. Që të mund të japim informacione të duhura, nevojiten të dhëna shtesë”- thonë nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve

As Ministria e Punëve të Brendshme nuk zbulon se për kë bëhet fjalë dhe as përse ka qenë jashtë burgut në momentin e ngjarjes. Nga policia thonë se bashkë me prokurorinë po vazhdojnë hetimin, por pa ndarë detaje shtesë.

Personi në fjalë, është njëri prej dy të dyshuarve që disa ditë më parë në Duqanxhik të Shkupit iu afruan një grupi prej 5 personash, gjuajtën plumba në drejtim të grupit dhe më pas me motoçikletë u larguan nga vendi i ngjarjes. Incidenti i armatosur ndodhi mbrëmjen e 6 shtatorit, rreth orës 23:30,  ku si pasojë u qëllua për vdekje 26-vjeçari Amir Murati nga Shkupi, ndërsa të plagosur mbetën edhe  dy persona të tjerë./ Alsat.mk

The post Institucionet vazhdojnë të heshtin: Si doli nga burgu i dyshuari për vrasjen në Duqanxhik? appeared first on Alsat.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme