Intelektualët dënojnë sulmin institucional ndaj “Logos A”, politikanët heshtin

Gjuhëtari i njohur, profesori universitar, Avzi Mustafa parimisht ka përmendur vlerat dhe rëndësinë e Logosit në shoqëri.

 “Shtëpia botuese Logos-A është njëra ndër shtëpitë që ka luajtur dhe po luan një rol të madh për përhapjen e librit shqip në Maqedoni e më gjërë. Logos-A ka botuar libra për të gjithë moshat dhe pa dallim të rrymave dhe orientimeve politike e shoqërore duke filluar prej botimeve që kanë të bëjnë për më të vegjlit e deri te librat shkollorë e shkencorë. Kjo shtëpi botuese nuk boton vetëm në gjuhën shqipe por edhe maqedonase, turke, boshnjake, angleze etj. Gjithashtu ofron botime me cilësi të lartë në përputhje me lexuesit dhe tregun. Ajo sot është një emër që bashkëpunon me gjitha qendrat e mëdha jo vetëm në Maqedoni por edhe në ballkan” deklaroi për Almakos, profesori universitar, Avzi Mustafa.

Poashtu sipas Mustafës, Logos-A është një ndër shtëpitë e para menjëherë pas ardhjes së demokracisë dhe pluralizmit në Maqedoni, dhe është shumë indinjuese që sot shteti sajon se kjo shtëpi botuese finanson parti apo individ që nuk e mendon ashtu si e mendon pushteti.

“Pas zgjedhjeve të fundit, pushteti ndjek të gjitha organizatat joqeveritare si dhe shtëpitë botuese Logos-A për ta diskredituar dhe t’ja humbur elanin e punës që e bën me nder gati 25 vjet me rradhë. Por mbetem në mendimin tim se një shtëpi botuese si Logos-A nuk mund të thyhet nga askush sepse ajo gjatë këtyre 25 viteve e ka dëshmuar veten si një shtëpi botuese ku afirmon interkulturat në tërë ballkanin”, përfundoi Mustafa.

Ndaj sulmeve dhe tentativave të pushtetit qendror për të gjetur ndonjë parregullsi në mënyrë që ti vihet dryri shtëpisë botuese Logos-A, si hakmarrje se gjoja kjo shtëpi gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare kanë financuar një parti të re politike, në mbrojtje të Logosit, kanë reaguar shumë opinionistë shqiptarë. Njëri ndër to është edhe profesori universitar, Salajdin Salihu.

“Në kohën kur institucionet europiane përpilojnë politika kulturore për ta ndihmuar librin, duke mundësuar lehtësime të shumta tatimore, mundësi më të madhe qarkullimi etj., këtu ndodh e kundërta. Institucionet shtetërore në vend se të ndihmonin shtëpitë botuese ose të paktën mos t’i pengonin në misionin e tyre human, po bëjnë sulme të ulëta për qëllime politikash ditore. Për çdo njeri të librave janë lajme të trishta sulmet dhe presionet ndaj shtëpisë botuese “Logos a”, njëra nga më prestigjiozet në hapësirën shqiptare, që përherë ka treguar respekt të madh për autorin. Fatkeqësisht kjo praktikë e ka ndjekur dhe po e ndjek në vazhdimësi librin shqip. Sulmet e këtilla tregojnë shkallën e “lirisë” në vend”, kështu është shprehur në një deklaratë për portalin Almakos, Salajdin Salihu.

Deri më tani asnjë parti politike shqiptare në Maqedoni nuk ka reaguar kundër sulmeve që bëhen ndaj Shtëpisë Botuese “Logos – A”./Sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme