Interpoli përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka arrestuar 40 të dyshuar për trafikim të njerëzve dhe afër 500 viktima u shpëtuan në pesë shtete afrikane në operacionin e madh policor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia ndërkombëtare policore me seli në Francë njoftoi të enjten se në mesin e të shpëtuarve ndodheshin 236 të mitur. Operacioni është kryer më herët gjatë nëntorit në Çad, Mali, Mauritani, Niger dhe Senegal.
Interpol thekson se të akuzuarit e dyshuar kanë detyruar viktimat “të angazhohen në aktivitete si lypsarë dhe prostituta, pa marrë parasysh kushtet e punës ose jetët njerëzore”.
Operacioni ishte pjesë e projektit Sahel, i financuar nga Qeveria e Gjermanisë, që ka për qëllim luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.
Interpoli tha se zyrtarë nga i gjithë rajoni u takuan pas operacionit për të diskutuar hapat e ardhshëm për viktimat dhe bashkëpunimin ndërkufitar në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.