INTERVISTA/ Dy bonuse për të moshuarit, ekspertja: Ja si mund të ndikojë në rritjen e pensioneve!

VOLTIZA DURO/ Numri i ulët i kontribuuesve është një nga sfidat kryesore që pengon performancën e skemës së pensioneve e si pasojë, buxheti i shtetit çdo vit mbulon deficitet që sistemi të jetë funksional.


Kështu theksoi në një intervistë për gazetën “Panorama”, Romina Radonshiqi, eksperte e ekonomisë dhe njëkohësisht pedagoge. Ajo ka bërë me dije se të dy bonuset nga qeveria janë shtesë që nuk mund të kontribuojnë në rritjen e mirëqenies së pensionistëve, por kanë një ndikim mujor në financat e tyre. Radonshiqi më tej shtoi se niveli i pensioneve në Shqipëri nuk mund t’i mbulojë nevojat bazë një pensionisti shqiptar.

Cilat janë sfidat me të cilat përballet skema e pensioneve sot?

Sfidat me të cilat po përballet sot skema e pensioneve është në shumë aspekte. Sistemit PAY AS YOU GO është një model, ku kontribuuesit financojnë pensionet dhe që ky model të krijojë qëndrueshmëri duhet që numri i kontribuuesve të jetë i lartë, por referuar të dhënave zyrtare, numri i ulët i tyre është një nga sfidat kryesore që pengon performancën e skemës së pensioneve.

Në këto kushte, që sistemi të jetë funksional, buxheti i shtetit çdo vit mbulon deficitet. Një sfidë tjetër janë problemet e tregut të punës si: pagat e ulëta, evazioni fiskal dhe informaliteti. Fenomeni i emigracionit ka pasur gjithashtu një ndikim negativ në tregun e punës dhe si pasojë, edhe në numrin e kontribuuesve. Ndryshimet demografike dhe plakja e popullsisë është një tjetër aspekt negativ që i duhet dhënë zgjidhje, sepse pasojat do të ndjehen dhe në periudha afatgjata.

A mendoni se reformat e ndërmarra në skemën e pensioneve kanë arritur të përmbushin qëllimin e skemës së pensioneve dhe parimet e saj?

Sistemi i pensioneve ka kaluar shumë reforma që pas viteve 1990 e deri tani dhe ende nuk ka zgjidhur problemet kryesore. Fenomeni i informalitetit dhe evazioni fiskal ka qenë një problem shumë i madh pas viteve ’90 në Shqipëri. Ky fenomen ka kufizuar mundësinë e Sigurimeve Shoqërore për të mbledhur fonde për pensione. Qëllimi i sistemit të pensioneve është të sigurojë mbrojtje financiare për individët kur ata dalin nga forca punëtore për shkak të moshës, paaftësisë ose kushteve të tjera që nuk u mundësojnë të vazhdojnë punën, por në rastin e Shqipërisë, niveli i pensioneve nuk plotëson nevojat bazike për një pensionist.

Duke iu referuar faktorëve demografikë, si e parashikoni situatën në Shqipëri?

Shqipëria para një dekade kishte avantazh moshën e re të forcës punëtore. Referuar INSTAT (2023), lindshmëria në Shqipëri është 10% më e ulët se 2022, duke shënuar numrin më të ulët referuar 33 viteve. Ulja e lindshmërisë dhe emigrimi masiv kanë çuar në plakjen e shpejtë të popullsisë, çka do të ketë pasoja të thella në sistemin e pensioneve dhe fuqinë punëtore. Ky është një tregues negativ që ka ndikim jo vetëm në skemën e pensioneve e parë në periudhë afatgjatë, por edhe në zhvillimin ekonomik në tërësi. Nga ana tjetër, rritja e jetëgjatësisë është një komponent pozitiv, që tregon përmirësimin e kushteve të jetesës në Shqipëri. Referuar INSTAT (2023), jetëgjatësia është 79.1 vjeç në vitin 2022, duke e renditur vendin tonë më mirë se Europa Juglindore. Rritja e jetëgjatësisë është një tregues që një numër më i madh individësh do të jetojnë më gjatë dhe do të kërkojnë mbështetje të gjatë.

Si ka ndikuar emigracioni në skemën e pensioneve?

Emigracioni ka pasur një ndikim të thellë dhe negativ në Shqipëri, duke kontribuar në mungesën e fuqisë punëtore dhe plakjen e shpejtë të popullsisë. Ky fenomen ka sjellë një ulje të numrit të kontribuuesve në sistemin e pensioneve, çka është një nga faktorët kryesorë që ka përkeqësuar gjendjen e skemës së pensioneve.

Çfarë masash duhet të merren për zgjidhjen e problematikave në skemën e pensioneve?

Së pari, duhet që qeveria të hartojë strategji që të ketë synim tregun e punës, duke bashkëpunuar si partnere me biznesin, për të siguruar që shqiptarët t’i shohin mundësitë brenda vendit. Për të arritur këtë, duhet të punohet në disa aspekte kyçe: paga të larta dhe konkurruese, përmirësimi i kushteve të punës, mundësi për zhvillim dhe rritje në karrierë. Së dyti, lufta ndaj informalitetit dhe evazionit fiskal, ku biznesi dhe fuqia punëtore duhet të kuptojnë kosto e evazionit dhe informalitetit është më e lartë se përfitimet. Së treti, të frenojë emigracionin duke mbështetur profesionistët dhe të rinjtë. Së katërti, të krijojë politika për zgjidhjen e problemeve demografike.

A mendoni se pensionistët kanë mbrojtje sociale të mjaftueshme?

Pensionistët nuk kenë mbrojtje sociale të mjaftueshme, pasi niveli i pensioneve krahasuar me vendet e rajonit është i ulët. Shërbimet shëndetësore kanë nevojë të përmirësohen dhe pensionistët shqiptarë kanë mungesë të mundësive për angazhimin social dhe kulturor. Pensionistët, të cilët jetojnë në zonat rurale kanë mbrojtje sociale më të ulët. Të gjithë këta tregues flasin për pensionistë, të cilët kanë frikë për të përballuar sfidat e përditshme financiare dhe shëndetësore.

Mund të na jepni një analizë në lidhje me nivelin e pensioneve dhe koston e jetesës së një pensionisti?

Referuar të dhënave zyrtare, Shqipëria renditet si një nga vendet me kosto më të lartë jetese dhe me nivel pensionesh më të ulet krahasuar me rajonin. Kjo është arsyeja pse niveli i varfërisë relative rritet, sepse janë pikërisht pensionistët, të cilët e rrisin këtë tregues. Niveli i pensioneve në Shqipëri nuk mund t’i mbulojë nevojat bazë të një pensionisti shqiptar, këtu cenohet edhe parimi i mjaftueshmërisë së sistemit të pensioneve sipas ILO-s.

Si kanë ndikuar ndër vite remitancat te pensionistet?

Remitancat kanë luajtur një rol pozitiv në financat personale të një pensionisti, sepse kanë nxjerrë nga varfëria sidomos pensionistët, të cilët jetojnë në zonat rurale. Rritja e nivelit të remitancave është tregues që më shumë pensionistë kanë nevojë për mbulim social. Referuar një studimi që kam kryer, rreth 50% e shpenzimeve mujore mbuloheshin nga paratë e dërguara nga fëmijët apo të afërm të pensionistëve.

Si e shihni fushatën e qeverisë kundër evazionit fiskal dhe informalitetit?

Kjo fushatë kundër informalitetit dhe evazionit fiskal është një domosdoshmëri, sepse në jemi një vend, i cili së shpejti do të futemi në Bashkimin Europian dhe kjo luftë do të përmirësojë tregun e punës, klimën e biznesit, skemën e pensioneve dhe ekonominë në tërësi.

Si mund të ndikojë rritja e pagave në nivelin e kontributeve për pensionet?

Rritja e pagës do të ndikonte pozitivisht në rritjen e masës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, por nuk do të mund të zgjidhë problemin.

Çfarë mendoni për dy bonuset e vendosura nga qeveria, çfarë ndikimi kanë te pensionistët?

Të dy bonuset siç dhe janë quajtur nga qeveria janë shtesë, të cilët nuk mund të kontribuojnë në rritjen e mirëqenien e pensionistëve, por kanë një ndikim mujor në financat e tyre. Ndikimi psikologjik që japin këto dy bonuse përkthehen në shpresë që niveli i pensioneve të tyre do të rritet.

/Gazeta Panorama

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme