INTERVISTA/ Ish-ministri Panariti: Nga mandarinat te mishi i pulës e luleshtrydhet, rreziqet e fshehura në ushqimet e ndotura me pesticide dhe mikrobe!

NGA VALENTINA MADANI/ Brenda një kohe të shkurtër në mënyrë të vazhdueshme në tregun shqiptar u futën prodhime të ndotura të vërtetuara me analiza laboratorike. Pas mandarinave me pesticide dhe mishit të pulës me salmonelë, në treg tashmë janë edhe luleshtrydhet me pesticide.


Ish- ministri i Bujqësisë Edmond Panariti tregon për Gazeta Panorama rrezikun nga ushqimet e pakontrolluara dhe flet për rreziqet e fshehura në ushqimet e ndotura me pesticide dhe mikrobe. Sipas tij ushqimet e ndotura me kimikate dhe mikrobe, shkaktojnë dëmtim në masë të shëndetit publik dhe cenim të sigurisë së vendit.

Edmond Panariti shprehet se pasojat më të ndjeshme në rast të ekspozimit të vazhdueshëm, i pësojnë fëmijët tek të cilët sistemi nervor është ende në zhvillimin e sipër. Ai përmend se gjatë kohës që ishte ministër i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural, i ka konsideruar importet e ushqimeve nga vendet e treta, që janë jo pjesë e BE dhe ShBA si potencialisht të rrezikshme (me karton të kuq) dhe ka urdhëruar kryerjen me detyrim të analizave komplekse në to.

Deri në përfundim të analizave prodhimet ushqimore mbaheshin nën sekuestro dhe nuk lejoheshin të lëviznin nga kontejnerët. Kjo praktikë sipas tij për fat të keq u ndryshua pas largimit tim dhe bërja ose jo e analizave në ushqime me prejardhje nga këto vende i lihej të ashtuquajturit “vlerësim i rrezikut” i cili është thjesht në përcaktim subjektiv.

Prof. Panariti, cilat janë arsyet që në mënyrë të përsëritur prodhime ushqimore, të vërtetuara si të ndotura me kimikate ose mikrobe të rrezikshme, arrijnë të depërtojnë në tregjet, restorantet dhe kuzhinat tona?

Brenda një harku të shkurtër kohor, dy herë në mënyrë të njëpasnjëshme prodhime të ndotura të vërtetuara me analiza laboratorike futen në treg duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve. Fillimisht ishin mandarinat e ndotura me chlorpyriphos, një insekticid i ndaluar për t’u përdorur në Bashkimin Evropian. Kjo ngarkesë me mandarina, u kthye nga importi pasi autoritetet kroate zbuluan praninë e ndotësit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet të asgjësonte ngarkesën e bllokuar sipas ligjit. Por ngarkesa nuk u asgjësua dhe u depozitua për të dalë me pas në tregjet tona. Ky ishte një veprim i rëndë dhe i rrezikshëm dhe gjurmimi i fatit të këtyre frutave në treg ishte thuajse i pamundur.

Chlorpyriphos, ndotësi i zbuluar të mandarinat është një insekticid, i cili vepron në sistemin nervor qendror duke shkaktuar çrregullime të përcjelljes se impulseve elektrike ndërmjet neuroneve. Pasojat më të ndjeshme në rast të ekspozimit të vazhdueshëm ndaj tij, i pësojnë fëmijët tek të cilët sistemi nervor është ende në zhvillimin e sipër.

Për këtë arsye depërtimi në treg i këtij ndotësi me anë të mandarinave është një ngjarje e rëndë. Në mungesë të garancive për mbrojtjen nga prania e insekticideve të rrezikshme në perimet dhe frutat që konsumojnë do të sugjeroja shpëlarjen në ujë të pastër dhe të rrjedhshëm të perimeve dhe të frutave për të paktën 5 minuta.

Kjo masë bën të mundur largimin e rreth 90 për qind të insekticideve nga frutat dhe perimet, sepse ato në një masë të konsiderueshme, janë të tretshme në ujë.

Aty ku është e mundur si për shembull të mollët, dardhët, portokajtë, mandarinat etj, është mirë që para konsumit të qërohen, sepse pjesa dërmuese e pesticideve depozitohen në lëkurë.

Rasti i futjes në treg të filetove të pulës të ndotur me salmonelë, çfarë rreziku mbart për konsumatorët vendas?

Rasti i futjes në treg të filetove të pulës të ndotur me salmonelë është edhe më serioz dhe mbart rreziqe të larta.

Salmonelat dhe veçanërisht Salmonela Typhimurium e zbuluar te filetot e pulës mund të shkaktojnë dëmtime serioze të aparatit tretës, me temperaturë të lartë, të vjella, dehidratim dhe krampe.

Në raste të veçanta mund të kemi edhe kalim në gjak të baktereve duke shfaqur septicemi, e cila mund të jetë kërcënuese për jetën. Futja në treg e mishit të pulës të ndotur me salmonelë është lejuar edhe pa pritur përfundimin e analizave të kryera për këtë qëllim nga Institucionet përkatëse.

Prandaj kur rezultatet e analizave të kryera mbi mostrat e marra, dëshmuan për praninë e këtij bakteri të rrezikshëm një sasi e konsiderueshme e mishit të ndotur me të, kishte kaluar tashmë në treg dhe ishte shitur te përdoruesit.

Gjetja dhe sekuestrimi i kësaj sasie në treg është shumë e vështirë, sepse ajo mund të jetë shitur dhe madje edhe konsumuar. Gjatë kohës që kam qenë ministër i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural, i kam konsideruar importet e ushqimeve nga vendet e treta, që janë jo pjesë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara si potencialisht të rrezikshme (me karton të kuq) dhe kam urdhëruar kryerjen me detyrim të analizave komplekse në to.

Deri në përfundim të analizave prodhimet ushqimore mbaheshin nën sekuestro dhe nuk lejoheshin të lëviznin nga kontejnerët. Kjo praktikë për fat të keq u ndryshua pas largimit tim dhe bërja ose jo e analizave në ushqime me prejardhje nga këto vende i lihej të ashtuquajturit “vlerësim i rrezikut” i cili është thjesht në përcaktim subjektiv.

Kjo presupozonte hedhjen e produktit në treg edhe pa pritur rezultatin e analizave gjë që çoi në shpërthimin e këtij skandali ushqimor kur analizat dëshmuan për praninë e ndotjes, ndërkohë që mishi ishte shpërndarë dhe shitur. Nuk jemi në gjendje të vlerësojmë pasojat e mundshme të këtij skandali te shëndeti i konsumatorit, por sasia e mishit të pulës të ndotur të kaluar në treg ka qenë e konsiderueshme.

Mund të themi se importi i ushqimeve jashtë tregjeve Evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara, mbart rrezik të shtuar potencial dhe duhet dekurajuar. Sfida jonë politike është që importet nga këto vende të zëvendësohen me prodhim vendas.

A mundet Shqipëria të prodhojë vetë mishin që i duhet për konsum dhe përpunim duke garantuar edhe një kontroll më të shenjestruar të cilësisë dhe sigurisë?

Unë kam bindjen se vendi i ka të gjitha mundësitë për të plotësuar nevojat e tij për mish dhe nënprodukte. Por diskriminimi i rëndë që i bëhet blegtoreve dhe fermave të vendit që rritin shpendë dhe bagëti, duke mos i mbështetur me para dhe duke i ngarkuar me taksa jashtëzakonisht të rënda, i ka nxjerrë ato jashtë tregut dhe konkurrencës.

Për këtë arsye numri i lopëve në Shqipëri që nga viti 2017 ka rënë nga 500 mijë në 226 mijë dhe i deleve nga dy milionë në 1,2 milionë. Fermat e rritjes së pulave kanë marrë një goditje të rëndë nga epidemia e gripit të pulave dhe e kanë ulur prodhimin. Rimëkëmbja për to është e dhimbshme dhe e vështirë pa përkrahje shtetërore, e cila mungon. I gjithë prodhimi blegtoral dhe ai bujqësor i vendit ngarkohet me një tatim mbi vlerën e shtuar prej 20 për qind. I pashembullt në Evropë dhe në rajon ku kjo taksë është mesatarisht 5 për qind.

Sikur të mos mjaftonte kjo, u vendos edhe heqja e taksës dhjetë për qind për importin e mishit nga jashtë, ndërkohë që taksat për lëndën e parë për prodhuesit vendas mbahet në mënyrë absurde në nivelin 10 për qind. Kjo ka bërë që në tërësi importet të dominojnë tregun, duke hapur edhe shtegun për depërtimin e ndotësve, prodhimeve fals, të cilat përbëjnë një kërcënim për shëndetin. Kjo gjë ndryshon duke hequr dhe ulur taksat për prodhimin vendas dhe duke rritur deri në pesë herë subvencionet për prodhuesit vendas. Kjo do ta përmbyste gjendjen në favor të prodhimit vendas brenda një kohe relativisht të shkurtër.

Kjo do të përmbyste në mënyrë tërësore edhe pasigurinë ushqimore duke garantuar survejim dhe gjurmueshmeri efektive të prodhimeve ushqimore.

Pas tonelatave të pulës me salmonelë, një tjetër skandal lidhur me sigurinë ushqimore ka tronditur vendin. Bëhet fjalë për katër ngarkesa me luleshtrydhe të importuara nga Greqia në vendin tonë që kanë rezultuar të kontaminuara me pesticide.

Rreth 50 kg luleshtrydhe me prejardhje nga Greqia të ndotura me insekticidin clofentezine, janë hedhur në treg dhe konsumuar, pavarësisht se analizat e kryera në 20 shkurt të këtij viti kishin zbuluar praninë e këtij ndotësi.

Clofentizina konsiderohet si lëndë kancerogjene, me veprim të përqendruar në gjëndrën tiroide dhe mëlçi dhe prandaj është e ndaluar në BE që nga fillimi i nëntorit 2024. Luleshtrydhet zënë vendin e parë në fruta dhe perime për nga shkalla e ndotjes me pesticide.

Futja e kësaj sasie në treg përbën një tjetër ngjarje të rëndë me pasoja shëndetësore dhe dëshmon për të çara të mëdha në sistemin e sigurisë ushqimore të vendit. Shqipëria dhe qytetarët e saj po kërcënohen gjithnjë e më shumë nga depërtimi i ushqimeve të ndotura.

Si është situata e sëmundshmërisë në vend dhe sa lidhet kjo me cilësinë dhe sigurinë e ushqimeve?

Situata e sëmundshmërisë në vend kushtëzohet nga shumë faktorë, por ushqimi cilësia dhe siguria e tij padyshim luan një rol qendror, krahas faktorëve të tjerë si ndotja e ajrit, e mjedisit dhe cilësia e jetës.

Me ka tërhequr vëmendjen rritja e rasteve me kancer në këtë dhjetëvjeçar dhe sidomos në grup moshën nën 50 vjet.

Për shembull numri i rasteve të reja me kancer në popullatë këtë vit pritet të jetë 8000, pra me një rritje prej rreth tetë për qind krahasuar një vit më parë. Kjo është shqetësuese dhe kërkon një vlerësim më të hollësishëm se sa ushqimi ndikon në këtë tendencë fatkeqe rritjeje.

Një vëmendje të shtuar duhet ndaj përdorimit abuziv të ngjyrues e, aromatizuesve dhe konservuesve në ushqimet në treg. Shumë produkte veçanërisht nga vendet e lindjes së mesme dhe të largët shquhen për përdorim abuziv të këtyre lëndëve.

Prandaj duhen kryer analiza në këto produkte për të zbuluar dhe parandaluar përdorimin abuziv të këtyre lëndëve për të falsifikuar dhe maskuar ushqimet. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre lëndëve të përdorura janë kancerogjene të njohur. Falsifikime të mëdha ndodhin në vajrat ushqimore dhe veçanërisht në vajin e ullirit të importit. Kjo duhet të ndalet dhe parandaluar menjëherë.

Si paraqitet kuadri ligjor dhe institucional në fushën e cilësisë dhe sigurisë ushqimore? A e garanton ai mjaftueshëm sigurinë e konsumatorëve?

Kuadri ligjor dhe ai nënligjor i ushqimit duhet rishikuar në mënyrë tërësore. Shumë ndërhyrje me akte normative dhe urdhëresa ministrore kanë deformuar thelbin dhe qëllimin e ligjit të Ushqimit. Po kërkohet në mënyrë absurde shkrirja e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe përzierja e tij si pjesë e një inspektorati qendror multi funksional.

Kjo do të na vendosë në vështirësi të mëdha në raport me kërkesat në rritje për kontrollin e cilësisë dhe të sigurisë së ushqimit. Kjo do të pengojë edhe integrimin Evropian të Shqipërisë, sepse këto ndryshime dhe ndërhyrje të pajustifikuara bien ndesh me kërkesat e Bashkimit Evropian të përcaktuara në kapitullin e dymbëdhjetë të procesit negociator në BE. Prandaj kërkohet një përqasje me e kujdesshme dhe në profesionale në këtë drejtim.

/Gazeta Panorama

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme