VOLTIZA DURO/ Dhimbje në shpatulla, gjunjë, bërryla apo pjesë të tjera të trupit që lëvizin shpesh? Mund të mos jetë vetëm lodhje apo ndonjë dëmtim i vogël kalimtar.
Shumë raste të tilla lidhen me një gjendje që, ndonëse është mjaft e përhapur, shpesh nuk njihet sa duhet nga publiku, bursiti. Ky inflamacion prek bursat, qese të vogla të mbushura me lëng që ndodhen pranë nyjave dhe ndihmojnë në zbutjen e fërkimeve mes kockave, tendinave dhe muskujve. Kur ato inflamohen, çdo lëvizje e thjeshtë kthehet në një burim dhimbjeje dhe bezdie. Shkaqet janë të shumta: lëvizje të përsëritura, pesha e tepërt, traumat, apo edhe sëmundje kronike si artriti reumatoid apo diabeti.
Në një intervistë për gazetën “Panorama” mjeku internist Gerald Kola hedh dritë mbi këtë patologji, duke sqaruar simptomat që nuk duhen injoruar, mënyrat e sakta të diagnostikimit dhe trajtimit, si edhe këshillat më të mira për ta parandaluar. Ai thekson se edhe pse bursiti nuk është gjithmonë një sëmundje serioze, mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës nëse lihet pa trajtim. Për më tepër, në rastet e rënda, ndihma mjekësore bëhet e domosdoshme për të shmangur komplikime të mëtejshme.
Çfarë është bursiti dhe cilat janë zonat më të zakonshme ku shfaqet?
Bursiti është një gjendje e dhimbshme që ndikon në bursat (qese të vogla të mbushura me lëngje) që mbështesin kockat, tendinat dhe muskujt pranë nyjave artikulare (artikulacioneve). Bursiti ndodh kur bursa inflamohet (skuqet, irritohet). Vendet më të zakonshme për bursitin janë në shpatull, bërryl dhe vithe, por mund të ndodhë edhe në gju, thembër dhe në bazën e gishtit të madh. Bursiti shpesh ndodh pranë nyjave që kryejnë lëvizje të shpeshta përsëritëse.
Si kryhet diagnostikimi i bursitit?
Mjeku e diagnostikon bursitin bazuar në simptomat dhe gjetjet në ekzaminim fizik. Disa teste diagnostike mund të kryhen për të përjashtuar shkaqet e tjera të dhimbjes. Këto përfshijnë: një grafi e zonës së prekur për të kërkuar prishje të kockës (zona anormale) ose artrit; aspiracion, në të cilin merret lëng nga bursa e fryrë dhe vlerësohet nën mikroskop për të përjashtuar infeksionin. Një tjetër mënyrë ekzaminimi janë edhe analizat e gjakut për të parë nëse ka artrit reumatoid ose diabet; ose një analizë imazherike me rezonancë magnetike (MRI), por kjo është shumë e rrallë.
Cilat janë metodat e trajtimit për bursitin?
Megjithëse bursiti përgjithësisht zhduket brenda pak ditësh ose javësh, dhimbja mund të jetë e vazhdueshme. Trajtimi fillestar zakonisht përbëhet nga barna anti-inflamatore josteroide (NSAID), të tilla si Ibuprofeni ose Piroxicami, për të zvogëluar dhimbjen dhe inflamacionin. Akulli mund të aplikohet në zonën e prekur (jo direkt në lëkurë), siç rekomandohet nga mjeku. Një kortikosteroid (kortizonik) mund të injektohet në dhe përreth bursës së inflamuar.
Çfarë ndodh në rastet më të rënda të bursitit?
Në raste të rënda mund të jetë e nevojshme që të përdoret një gjilpërë për të tërhequr (thithur) lëngun nga bursa e inflamuar dhe e fryrë. Kjo mund të ndihmojë në lehtësimin e presionit (shtypjes). Në kushte të vazhdueshme (kronike), bursat mund të hiqen në mënyrë kirurgjikale. Një program me fizioterapi që përfshin tërheqjen dhe ushtrimet e përqendruara forcuese mund të jetë i dobishëm. Një fizioterapeut mund të aplikojë nxehtësi dhe ultratinguj për të relaksuar nyjat artikulare. Bursiti mund të përsëritet, veçanërisht nëse angazhoheni rregullisht në stërvitje të forta ose në punë fizike të rëndë. Duhet të merrni masa për të shmangur tendosjet ose dëmtimet e mëtejshme.
Si mund ta parandalojmë bursitin?
Nxehja (ngrohja) përpara ushtrimeve të fuqishme dhe ftohja pas ushtrimeve është mënyra më efektive për të shmangur bursitin dhe llojet e tjera që ndikojnë në kockat, muskujt dhe ligamentet. Shmangni aktivitetet që përkeqësojnë problemin. Duhet të relaksoni (duke pushuar) zonën e prekur pas aktivitetit. Zbutni artikulacionet për të shmangur presionin e zgjatur dhe traumën.
/Gazeta Panorama