VALENTINA MADANI/ Edi Paloka, kreu i këshillit kombëtar të PD-së është besimplotë për një rezultat pozitiv të opozitës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Z.Paloka flet për determinancën e diasporës në zgjedhje, i sigurt se ajo do të votojë siglën e PD-së më 11 maj.
Deputeti demokrat thotë për gazeta “Panorama” se opozita nuk do të bojkotojë më zgjedhjet dhe se në garë hyn për të fituar. Edi Paloka flet edhe për çështjen e “non-grata” të Sali Berishës duke pohuar se “praktikisht është fshirë dhe është vetëm çështje kohe sa kjo të bëhet zyrtare”. Z.Paloka i kujton mazhorancës socialiste se “Nga fitorja e Trump, në gjithë botën kanë rënë menjëherë mbi 70 qeveri të majta”. Qeverisë “Rama” i kujton skandalet, ndërsa shqiptarëve premtimet e opozitës nesër kur të vijë në pushtet.
Z.Paloka, si e shihni mjedisin aktual politik? Në çfarë terreni po lëviz opozita?
Për disa vite, PD-së dhe opozitës iu desh që të luftojë për ekzistencë si pasojë e luftës së paprecedentë që iu bë jo vetëm nga qeveria, por dhe nga organizata më diabolike e së majtës në politikën ndërkombëtare, organizata e Xhorxh Soros. Por për fatin e mirë të gjithë shqiptarëve, planet për eliminimin e opozitës dështuan. PD tregoi se të pamundurën e bën të mundur dhe sot nga një parti që luftoi për mbijetesë e gjen veten në forcën kryesore politike në Shqipëri dhe ecën me bindje drejt fitores. Sigurisht meritën kryesore për këtë e ka qëndresa e demokrateve, por fitorja e Presidentit Trump në Amerikë është padyshim një element thelbësor në këtë ndryshim. Nga fitorja e Presidentit Trump, në gjithë botën kanë rënë menjëherë mbi 70 qeveri të majta. Po çfarë është më e rëndësishme për ne, gjithë struktura diabolike që mbante në këmbë Edi Ramën, tashmë është shkërmoqur tërësisht dhe fryma e kundërt mbizotëron në Departamentin e Shtetit. Për pupacin e Sorosit në Shqipëri, korruptuesin e Mc Gonigalit, dite të zeza do të vijnë. Ndërkohë për Partinë Demokratike mbështetja ndërkombëtare është në zenit. Kurrë nuk ka pasur tri rezoluta nga organizatat më të fuqishme politike në botë që të dënojnë si narkoregjim qeverinë e të mbështesin fitoren e Partisë Demokratike dhe Sali Berishës.
Për herë të parë me 11 maj do të votojë edhe diaspora, madje e gjithë fushata elektorale nga të dy partitë kryesore është përqendruar jashtë vendit duke synuar votën e emigrantëve. Pse kaq e rëndësishme vota e emigrantëve?
Vota e diasporës mund të jetë determinante për këto zgjedhje. Mbi 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi që kur në pushtet është Edi Rama. Mjafton ky fakt për të kuptuar se sa vlerë ka për opozitën dhe për Shqipërinë vota e tyre. Si diaspora e vjetër dhe ajo e këtyre viteve janë qartazi në mbështetje të Partisë Demokratike.
A besoni se vota e emigrantëve do e ndryshojë realitetin e gjërave në Shqipëri?
Votën e diasporës e kërkoi opozita dhe e bëri të detyrueshme një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohe Partia Socialiste po bën ç’është e mundur që ta kufizojë këtë mundësi. Vendimi i GjK është i qartë ndërsa komplikimi artificialisht i procedurave për regjistrim synon thjeshtë heqjen e mundësisë për sa më shumë emigrantë. Çdo zgjedhës që ka emrin në listën e zgjedhësve ka të drejtë të votojë. Kufizimi i kësaj të drejte vetëm për ata që kanë dokumente identifikimi shqiptare dhe brenda skadencës është thjeshtë shkelje e kësaj të drejte kushtetuese. Dokumenti i identifikimit vlen për të vërtetuar identitetin e zgjedhësit atëherë pse këtë mund ta bëjë pasaporta shqiptare e jo ajo gjermane apo amerikane, apo pasaporta që lëshon Edi Rama është më e sigurt se ajo gjermane apo amerikane?!
Kreu demokrat Sali Berisha shprehet se “një milion votues po përjashtohen nga zgjedhjet”, ndërkohë që ka paralajmëruar protesta para ambasadave shqiptare. Cili është skenari i tyre?
Thirrja për protesta lidhet pikërisht me mohimin e të drejtës për të votuar. Nuk ka skenarë të tjera jashtë kësaj kërkesë legjitime.
A do të hyjë Partia Demokratike në zgjedhje dhe pa qeveri teknike?
Është bërë e qartë që prej kuvendit të rithemelimit dhe është cilësuar në statut se PD-ja nuk bojkoton më asnjë pale zgjedhje. Ndërkohë në kemi kërkuar qeverinë teknike si kusht për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të barabarta. Madje kemi propozuar që kjo të jetë praktikë në të gjitha zgjedhjet parlamentare. Ju kujtoj që një kërkesë e tillë është dhe në rezolutën e IDU, organizatë ku bëjnë pjesë gjithë partitë e qendrës së djathtë përfshi Partinë Republikane të Presidentit Trump.
Vite më parë, e më së shumti në 2005, PD kishte një mbështetje te madhe nga ndërkombëtarët por sot a ngjan sikur të gjitha energjitë PD-ja po i shpenzon sesi të mbrohet nga akuzat e SPAK ndaj ish-kryeministrit?
Ju a përmenda më lart, Partia Demokratike nuk ka pasur asnjëherë tjetër një mbështetje më të madhe ndërkombëtare se sot! Tri rezoluta; të partive popullore evropiane që sot drejtojnë Evropën, të IDU dhe IDC ku praktikisht aderojnë partitë e qendrës së djathtë të gjithë globit, kanë dënuar ashpër qeverinë Rama dhe i kanë dhënë mbështetje PD-së dhe liderit të opozitës Sali Berisha. Sa për SPAK-un, e kundërta po rezulton, është SPAK-u që nuk iu përgjigjet dot akuzave të opozitës se është kthyer thjeshtë në një vegël dhe armë të pushtetit kundër opozitës. Ju kujtoj që ndërkohë një situatë krejt e ngjashme me drejtësinë ishte dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës para fitores se Presidentit Trump e jo rastësisht personazhet janë po të njëjtët. Dhjetëra prokurorë e gjykatës që vendet i kishin siguruar me mbështetjen e Soros, tanimë kanë dhënë dorëheqjen në Amerike. Ndërkaq me një dekret Presidenti Trump ka ndërprerë financimet për të ashtuquajturat reforma të iniciuara nga Soros në të gjithë botën me qëllime të qarta politike kundër forcave të qendrës së djathtë. Shumë shpejtë do jetë drejtësia e kapur që do duhet të mbajë përgjegjësi për përdorimin e saj nga pushteti.
Dhe çfarë e rrëzon Edi Ramën nga pushteti?
Unë e kam thënë më se një herë, diktaturat përmbysen me çdo formë. Po, me ndryshimin e situatës politike, siç e përmenda më lart, unë uroj që ndryshimi të vijë me votë e në mënyrë paqësore. Ndryshe Edi Rama duhet të kujtojë pamjet e Capitolit pastaj…
Çfarë përpjekjesh po bën PD-ja që me rikthimin e Presidentit Donald Trump të heq “non-gratën” ndaj z.Berisha? Me kë po lobojnë demokratët?
Sali Berisha nuk zgjodhi rrugën e lobimit, por të drejtësisë për sa i përket “non grata”-s. Fitorja e Presidentit Trump e ka ndryshuar totalisht situatën edhe për sa i përket kësaj çështjeje. Kur Sekretari aktual i Shtetit Marco Rubio ishte senator, ngriti pikërisht çështjen e “non grata”-s në senatin amerikan duke akuzuar hapur administratën e atëhershme se e kishte përdorur politikisht për të goditur liderë të qendrës së djathtë nëpër botë. Në këto kushte besoj është e qartë se “non grata” e Berishës praktikisht është fshirë dhe është vetëm çështje kohe sa kjo të bëhet zyrtare.
Ditët e fundit ka një debat PD-së për primaret. Cilat janë modalitet e primareve brenda partisë?
Modalitetet për primaret janë në përfundim. Do të bëhen publike në momentin e duhur.
Cilat janë synimet e opozitës në zgjedhjet e 2025-ës? Avantazhet dhe disavantazhet e saj?
Synimi i opozitës është vetëm fitorja në këto zgjedhje. Në një vend demokratik, rrotacioni, ndryshimi është domosdoshmëri edhe kur vendi është qeverisur normalisht nga një qeveri e caktuar. Në Shqipëri nevoja për ndryshim është ulëritëse. Edhe sikur qeveria “Rama” të mos ishin të zhytura në skandale e mos ta kishin kthyer dhe një herë Shqipërinë në këto nivele varfërie e pasigurie, pas 12 vitesh rrotacioni do ishte i detyrueshëm. Ndërkohë jemi në një situatë krejt të kundërt nga ajo e një qeverisjeje normale. Në këto kushte çdo qeveri tjetër do ishte pa diskutim më e mirë. Po në rastin e PD-së nuk bëhet fjalë vetëm për kaq! Partia Demokratike ka një të shkuar në qeverisje e cila pavarësisht të metave ka qenë si dita me natën krahasuar me pushtetërimin e mafies rilindase. Por përtej kësaj PD-ja ofron zgjidhjet e duhura konkrete për të ndryshuar tërësisht situatën aktuale. Vetëm pikat e asaj që ne i kemi përcaktuar si programi i emergjencës do të ishin të mjaftueshme që shqiptarët të votonin me shumicë absolute për Partinë Demokratike: përcaktimi i minimumit jetik prej 200 eurosh, rritja e rrogave dhe pensioneve, ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe karburanteve në nivelet minimale.
Ulja e TVSH-së për shportën dhe shumë masa të tjera do ta vendosnin dhe një herë Shqipërinë në vend të parë në rajon për nivelin e të ardhurave dhe mirëqenien e qytetarëve. Me një aritmetikë të thjeshtë, çdo familje shqiptare e varfër dhe e mesme do të ketë në buxhetin e saj nga 200-500 euro më shumë në muaj sesa ka sot. Këtë llogari duhet ta bëjnë të gjithë përpara se të votojnë e sidomos ata që shesin votën për një thes miell! A është e mundur kjo, mund të ngrenë dyshime? Mjafton të themi që në buxhetin prej 8,2 miliardë eurosh, të gjitha këto që përmenda unë, përfshi pagën për administratën, përbëjnë më pak se 1 miliard! Pa folur për pjesën tjetër të programit që lidhet me sigurinë dhe investimet. Partia Demokratike ka treguar që çfarë ka thënë e ka bërë, ndryshe nga Edi Rama që jo vetëm nuk ka mbajtur premtimet e dhëna po ka bërë krejt të kundërtën. Kaq besoj duhet t’i mjaftojë çdo shqiptari për të bërë zgjedhjen e tij me 11 maj./Gazeta Panorama