Intervista/ Si mund të dyfishohen pensionet për 150 mijë të moshuar, flet eksperti: Indeksimi nuk kompenson as gjysmën e çmimeve

Nga Voltiza Duro/ Çështja e pensioneve, veçanërisht niveli i ulët i tyre, shpërndarja e pabarabartë midis grupeve të interesit dhe mungesa e një përditësimi dinamik në përputhje me kushtet ekonomike e sociale, është shndërruar në një debat të vazhdueshëm publik.


Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Prof. Assoc. Dr. Hasan Hoxha, një nga njohësit më të mirë të fushës së sigurimeve shoqërore në vend, hedh dritë mbi problemet më të mprehta që lidhen me sistemin aktual të pensioneve në Shqipëri.

Ai thekson se niveli i ulët i pensioneve, sidomos atyre minimale, është shumë larg minimumit jetik dhe nuk përmbush as nevojat bazë të të moshuarve. Përmes një analize të thelluar profesionale, ai ngre shqetësimin për mungesën e një mekanizmi të saktë dhe dinamik për përcaktimin e kufirit jetik, si dhe për mungesën e drejtësisë në shpërndarjen e pensioneve mes grupeve të ndryshme shoqërore.

Cili është opinioni juaj rreth debatit të sotëm për pensionet?

Është folur e shkruar gjithnjë për pensionet. Veçanërisht intensive është bërë kjo gjë në javët e fushatës elektorale, por dhe tani pas saj. Flitet për nivele shumë të ulëta të pensioneve, flitet për mungesën e rritjes apo edhe për rritjen krejtësisht të pamjaftueshme ndër vite.

Ndërkohë, insistimi për rritjen e ndjeshme të pensioneve të ulëta dhe atyre nën nivelin mesatar, pa lënë mënjanë indeksimin e përgjithshëm, një pjesë e quan nevojë të ngutshme, madje edhe tepër të vonuar; pjesa tjetër “mbrohet” me ndërhyrjen e bërë në vitin 2014, me atë që reforma e atij viti i ka zgjidhur problemet, etj.

Paralelisht, me të drejtë një pjesë, duke e cilësuar urgjente rritjen, nuk ngurrojnë të japin edhe kuota për këtë, ndërsa të tjerë këtë lloj situate e kanë kaluar vetëm me një indeksim minimal, madje edhe ky jo gjithnjë korrekt në kohë, apo janë mburrur me bonusin e fundvitit.

Akoma më tej, një pjesë flasin për rritjen e pensioneve, duke pohuar edhe ekzistencën e mundësive; të tjerë ngrenë alarmin se rritja e pensioneve do të thellonte gropën financiare dhe do të vinte në rrezik skemën publike. Të gjithë kanë diçka në të tyren, edhe pse jo rrallë kjo i ngjan absurdes, duket si një lojë.

Pse e gjykoni të tillë?

Për arsyen e thjeshtë se nuk përkojnë në kohë me zhvillimet reale të fushës sociale, po ashtu nuk janë në sinkron me zhvillimin e fushës ekonomike e financiare, nuk i referohen vlerës reale të pensionit, nuk mbështeten as në kritere rigoroze llogaritjeje. Disa opinione shfaqen shumë pjesërisht, madje ndonjëherë fare sipërfaqësisht në paraqitjen e tyre mediatike, sidomos kur, pa asnjë lloj argumenti, pohojnë pamundësinë e rritjes së pensioneve, ndërsa nuk ofrojnë kurrfarë varianti që mobilizon rezerva të shumta në fushën e disponibilitetit të kontributeve. Pse jo, edhe fuqizimit të financave të buxhetit të shtetit, dhe prekjes së tij për aq sa bëhet e nevojshme.

Si njohës i fushës, çfarë mendimi keni për rritjen e pensioneve?

Patjetër. Prej disa vitesh kam shkruar për nevojën e rritjes së pensioneve. Sugjerimet i janë përmbajtur nevojës së rritjes me dy shifra të pensioneve minimale dhe atyre të ulëta, duke përdorur shkallëzimin e rritjes me fasha për këto dhe për grupet e tjera të interesit. Krahas me këtë, kohë më parë kam shkruar se për skemën publike të sigurimeve shoqërore është e nevojshme të kryhet një reformë gjithëpërfshirëse.

Përmes një reforme tjetër shumëplanëshe, madje në një kohë sa më të afërt, do të zgjidheshin problematikat e krijuara në fushën e pensioneve, ndërkohë që do t’i shërbehej pozitivisht edhe vetë skemës publike të sigurimeve shoqërore. Sepse, vërtet në vitin 2014 u krye një reformë në fushën e pensioneve, e cila zgjidhi një pjesë të problemeve, por disa prej tyre nuk i përfshiu qysh në nisje. Fjala vjen, nuk u prek fare fusha e kontributeve, niveli i përdorimit të fondit kontributiv për secilën nga degët e kësaj fushe, nuk u caktuan kritere unike për minimumet dhe kufijtë e sipërm të pensioneve, për nivelet tavan të pagave bruto në funksion të llogaritjes së pensioneve, etj.

Në anën tjetër, reforma e para dhjetë viteve realizoi disa zgjidhje, por krahas me këto, prej vetë reformës, prej modaliteteve të zbatimit të saj, domosdo janë prodhuar rishtas edhe problematika të paparashikuara. Pa llogaritur këtu spektrin e ndryshimeve sociale, ekonomike dhe financiare të periudhës 10-vjeçare, një pjesë e të cilave nga brenda vendit, të tjerat rrjedhojë e zhvillimeve globale.

Mund të na e ilustroni me një shembull?

Ja një shembull dukshëm i qartë. Ndërsa u rritën pensionet maksimale për shkak të heqjes së tavanit, pjesa dërmuese e pensioneve minimale, edhe pse me vite të plota pune, mbetën në të njëjtat nivele, në mos më pak, krahasuar me periudhën para reformës. Po ashtu, nga vetë reforma e fundit, nuk patën ndonjë rritje për t’u evidentuar shumica e numrit të pensioneve mesatare, aq më pak ato nën mesataren.

Janë disa faktorë që kanë ushtruar trysni në këto zhvillime jo pozitive, veprimin e të cilëve mund ta shmangë një reformë tjetër në këtë fushë. Por, për momentet më në detaje të nevojës së kësaj reforme dhe për disa aspekte të zhvillimit të saj mund të ndalemi në një moment tjetër. Kjo, për t’i lënë hapësirën e duhur çështjes emergjente, asaj të rritjes së shpejtë të pensioneve, të paktën me fillimin e vitit të ardhshëm…

Cilat janë arsyet kryesore që e bëjnë të domosdoshme dhe urgjente rritjen e pensioneve në vendin tonë?

Po nënvizoj arsyen madhore: pensionet, në masën dërmuese të tyre, janë tepër minimale, janë shumë të ulëta, janë madje krejt të pamjaftueshme për të përballuar koston e të jetuarit. Aktualisht, pensionet minimale janë nën kufirin e 100 mijë lekëve, ndërsa përvitshëm, numri i tyre sa vjen e shtohet. Sigurisht, ky nivel lidhet me minimumin e viteve të punës me kontribute, por në anën tjetër ai është pasojë edhe e bazës së vlerësuar të ulët, e cila përgjithësisht e mban pensionin e pleqërisë në këto nivele.

Në të njëjtën kohë, edhe pensionet familjare, që përfaqësojnë në vetvete një grup interesi vulnerabël, janë në nivele tepër të pamjaftueshme, kur pikërisht për këtë pjesë të shoqërisë vlerësimi financiar nga sigurimet shoqërore lypset të jetë më i shtuar, për të mos thënë të jetë dhe preferencial. Mund të themi të njëjtën gjë edhe për pensionet e invalidëve, nivelin e ulët të të cilëve e prodhojnë kriteret ligjore dhe formula e llogaritjes. Pra, përmbledhtazi, brenda nevojës për rritjen në përgjithësi dhe shpejt të pensioneve, prioritetin në këtë drejtim lypset ta ketë grupi i gjerë i pensioneve të ulëta, i atyre nën mesataren, duke vazhduar dhe me të tjerat.

A ka ndonjë llogaritje ose përllogaritje orientuese se sa duhet të ishte rritja reale e pensioneve për të kompensuar rritjen e çmimeve?

Arsye tjetër që imponon rritjen e ndjeshme të pensioneve është edhe fakti se indeksimi i përvitshëm i tyre nuk ka sjellë ndryshime që vlerësohen për lehtësime në koston e jetesës të shumicës dërmuese të pensionistëve. Nga kjo pikëpamje, do t’i kujtoja çdokujt që indeksimin e përvitshëm të pensioneve e vlerëson si zgjidhje ligjore të përmbushur, apo atyre që i japin shumë rëndësi qoftë edhe ndonjë rritjeje të pakët të tyre, të tjerëve gjithashtu që reklamojnë bonuset e fundvitit, qoftë edhe një të dytë të tillë gjatë vitit, të mos harxhojnë kohë për promovime, të mos angazhojnë herë pas here gazetarë të respektuar, por gjithsesi jashtë profilit, sepse çdonjëra prej tyre, dhe të gjitha së bashku, nuk kanë arritur të mposhtin as gjysmën e rritjes së çmimeve, as gjysmën e rritjes së kostos së jetesës së pensionistëve.

Madje, në vite të caktuara, rritja minimale e masës së pensioneve, sidomos ajo e tërësisë së pensioneve minimale, nuk ka mjaftuar as për shpenzimet e pesë ditëve për kafe në lokale. Prandaj, nuk ka sens të promovohen ndryshime kaq të pakta në masën e pensioneve, kur këto rritje janë shumë herë më pak qoftë edhe vetëm nga efekti i zhvlerësimit të euros, me pasoja të ndjeshme penalizuese për shumat e remitancave që fëmijët e pensionistëve sjellin nga jashtë.

Si i vlerësoni pretendimet se mungesa e burimeve financiare është pengesa kryesore për rritjen e pensioneve? A ekzistojnë realisht mundësi për të mbështetur një reformë të tillë?

Shqetësimi i sotëm që i serviret opinionit apo që hidhet në tregun mediatik, sidomos nga ata që qeverisin, se ku do gjenden paratë për rritjen e pensioneve, për zhvendosjen e pensioneve minimale menjëherë te niveli 200 euro, apo për rritjen e pensioneve të tjera, sidomos atyre mesatare dhe nën mesatare, nuk mund të marrë asnjë mbështetje të asnjë natyre, detyrimisht as përkrahjen profesionale. Sepse, mundësitë financiare për këtë do të krijoheshin nëse në të ardhmen e afërt do të hynim më intensivisht në disa drejtime konkrete pune e zhvillimi, që do të rritnin fondin e përgjithshëm të kontributeve. Në mënyrë të drejtpërdrejtë baza kontributive do të rritej në disa rrugë.

Ju përmendët tri forma për forcimin e bazës së kontributeve: rritjen e punësimit, rritjen e pagave dhe respektimin e pagës minimale në privat. Cila nga këto forma ka efektin më të menjëhershëm dhe cilat janë sfidat kryesore për zbatimin e tyre?

Së pari me zgjerimin e shkallës së zënies me punë të një numri edhe më të lartë të popullsisë brenda moshës së punës, sigurisht asaj të aftë për punë. Pa diskutim, këtu vërehen rezerva të konsiderueshme, veçanërisht në bujqësi dhe në territorin e fshatit. Sipas të dhënave të INSTAT, kur krahasohet numri i kontribuesve në skemë me numrin e popullsisë në moshë pune dhe që ka mundësi të punojë, vërehen diferenca të thella. Mbi 1.3 milion të punësuar për vitin 2023 u prezantuan nga Kryeministri në Devoll, ndërkohë që numri i kontribuesve në skemë, sipas të dhënave zyrtare, është vetëm rreth 820 mijë.

Së dyti, përmes rritjes së pagës minimale dhe krejt zinxhirit të niveleve të tjera të pagave në sektorin publik. Së fundi, janë rritur ndjeshëm këto paga, dhe sikurse thuhet, rritja do të vazhdojë për të shkuar në nivele të tjera më të larta. Dhe, nëse këto rritje vërehen të dukshme, në këtë proporcion lypset të jetë edhe rritja krahasuese e fondit të kontributeve.

Forma e tretë: përmes forcimit të detyrimit ligjor për zbatimin e pagës minimale edhe në sektorin privat, në bizneset e çdo kategorie, në turizëm, në shërbime e sektorë të tjerë. Krahas me shtimin e të punësuarve me paga përtej minimales, siç po ndodh gjithnjë e më shumë në praktikën e përditshme. Flet shumë fakti që me pagë minimale edhe së fundmi, vazhdojnë ende të jenë rreth 400 mijë të punësuar. Në këtë vështrim, vërtetësia e këtij deklarimi në të gjithë grupet e të punësuarve, mbështetur më mirë me ligj dhe kontrolle, do të shtonte ndjeshëm fondin kontributiv në skemën e sigurimeve shoqërore, ndërkohë do t’i shërbente më leverdisshëm të ardhmes së individëve për pensione më të larta.

Po faktorë të tjerë?

Në vijim të qartësimit të ekzistencës së mundësisë financiare për rritjen e shpejtë të pensioneve do të përmendja edhe dy faktorë me efekte të dukshme: I pari, reduktimi i arsyeshëm i numrit të të punësuarve në sektorin publik. Aktualisht, ky numër ka kaluar në nivele tepër të larta e të paarsyeshme, çka përbën një barrë të madhe për buxhetin e shtetit, me pasoja edhe për strukturën funksionale të shtetit. Po ashtu, me mungesën e perspektivës kualifikuese dhe për vetë pjesën e të punësuarve jashtë strukturës, jo rrallë me mbivendosje dhe jashtë profilit.

Asgjë nuk mund të justifikojë shtimin në këto përmasa të të punësuarve në pjesë të ndryshme të sektorit publik. Por, ajo që skualifikon çdo lloj argumenti dhe sajese në këtë drejtim, është fakti se ndërsa shtohet niveli i informatizimit në shumë sektorë, ndërsa janë hequr sportele dhe mbyllur zyra, në anën tjetër, jo që nuk është pakësuar numri i të punësuarve por ai ka ardhur çuditshëm në rritje… Apo, një bllok tjetër shtese punonjësish, që nuk mund të pranojë kurrfarë argumenti në këtë sjellje kaq të çuditshme të organizmave shtetërore, është dyfishimi i të punësuarve në pushtetin lokal, krahasuar me atë të para reformës së fundit.

Prej këtu, me bindje pohoj se organizimi i sotëm territorial dhe i shumëçkaje në vartësinë dhe administrimin e pushtetit lokal, është i nevojshëm të ndryshohet ligjërisht për një varg arsyesh. Veç të gjitha arsyeve, ndryshimi i studiuar i kësaj fushe sensitive do të pakësonte numrin e të punësuarve, për të çliruar një pjesë të fondeve të buxhetit të shtetit të cilat mund të kalonin në funksion të rritjes së pensioneve. Jo vetëm kaq, por me lehtësimin e sektorit publik nga të punësuarit e shtuar pa asnjë lloj kriteri, buxheti i shtetit do të lehtësohej edhe nga barra tjetër jo e vogël, ajo e pagesës së pjesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore për çdo të punësuar, që sot është rreth 25 për qind e pagës së gjithsecilit.

I dyti, rrugë tjetër për të shtuar menjëherë të ardhurat kontributive (për skemën e pensioneve) do të ishte përfshirja e gjithë pagës, pavarësisht nivelit të saj, në funksion të pagesës së sigurimeve shoqërore. Ndryshe nga sot, kur një pjesë jo e pakët e këtij fondi ngelet jashtë llogaritjes… Ngelen jashtë pagesës së kontributeve e gjithë pjesa e pagave mbi 1.75 milion lekë të vjetra, e cila sot është një lloj tavani i pagës për llogari të pagesës së kontributeve. Heqja e këtij tavani artificial është e nevojshme të bëhet, aq më tepër kur pagat e larta dhe shumë të larta janë shtuar në numër në mjaft hallka e pozicione të administratës publike, si edhe në sektorë të ndryshëm të biznesit etj.

A do ishin efektive këto metoda?

Të dyja rrugët e mësipërme do të sillnin shtimin e mundësive për rritjen e pensioneve; në njërën anë, prej vetë skemës publike për arsye se shton të ardhurat kontributive të saj, në anën tjetër dhe të buxhetit të shtetit për shkak se e çliron atë nga shpenzimet për numrin e fryrë të të punësuarve në sektorin publik. Kështu, vetëm nga pakësimi i arsyeshëm i numrit të të punësuarve në sektorin publik do të kurseheshin qindra milionë euro, të cilat përmes buxhetit të shtetit mund të shkonin për rritjen e pensioneve. Nuk është rasti këtu për ta shoqëruar argumentin me llogaritje të plota, por mjafton të themi që në vend të një të punësuari, qoftë edhe me pagën minimale të sotme, rregullohen 6 pensione me 100 euro, për t’i kaluar në dyfishin e tyre, pra në 200 euro.

Dhe nëse pakësohet, për shembull, me 30 mijë vetë numri i të punësuarve në sektorin publik, fondi financiar i kursyer do të shërbente për të shpënë në nivelin 200 euro mbi 150 mijë pensionistë, të cilët sot trajtohen me pensione minimale etj. Një pjesë tjetër jo të pakët të mundësisë për rritjen e pensioneve do ta mbulonte domosdo edhe rruga tjetër, ajo e përfshirjes së gjithë fondit të pagave për llogari të kontributit të sigurimeve shoqërore.

Edhe këtu llogaritjet ekzakte mund t’i bëjnë strukturat përgjegjëse, por vetëm nga të dhënat e daljes në treg të pagave prej hakerimit, flitet për një fond të konsiderueshëm të pagave që ngelen jashtë fondit kontributiv të sigurimeve shoqërore. Në vend të kufizimit nga lart të pagave për efekt të pagesës së kontributeve, i cili sot është në nivelin e rreth 170 mijë lekë të reja, mund të kufizohet arsyeshëm niveli i pensionit etj.

WhatsApp Image 2025-06-09 at 11.23.20

/Gazeta Panorama

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme