Kur po vazhdon dita e gjashtë e kërkimeve për dy policët e zhdukur që dyshohet të jenë rënë në lumin Lepenc, edhe Prokuroria po zgjeron hetimet.
Ndërkohë që deri dje gjithçka që hetohej ishte rreth aksidentit, kryeprokurori i Ferizajt Shukri Jashari ka treguar për Metron se janë intervistuar edhe punëtorë të Bechtel&Enkas dhe qytetarë që janë dënuar së fundmi, shkruan gazetametro.net.
“Po janë 4 të intervistuar. Ka punëtorë të Bechtel&Enkas dhe qytetarë që u janë shqiptuar tiketa nga këta dy policë”, ka thënë kryeprokurori Jashari.
Ndërkohë, i pyetur se a ka pista të tjera të hetimit rreth dy policëve të zhdukur, ai ka thënë se momentalisht dyshimet dërgojnë vetëm nga aksidenti.
Ndërkaq, Metro ka biseduar edhe me Policinë e Kosovës të cilët nuk kanë pranuar të japin detaje rreth hetimeve, duke shtuar se përveç kërkimeve në terren ata janë të angazhuar në hetimet që vijnë me urdhër të prokurorit.
Dyshimet e fundit, ndonëse akoma nuk është publikuar ekspertiza për veturën e aksidentuar, janë se vetura me të cilën po qarkullonin dy policët ishte në gjendje jo të mirë.
Ndryshe, dy policët kosovarë që akoma janë të zhdukur dhe po kërkohen në malin ku ranë dhe gjithë shtratin e lumit Lepenc, dyshohet të jenë aksidentuar në natën e së shtunës rreth orës 20:45. Akoma nuk janë bërë të ditura as detajet që mund të kenë çuar në aksident./gazetametro.net