Inspektorati Policor i Kosovës ditëve të fundit ka filluar një hetim paraprak për të verifikuar veprimet e zyrtarëve policor të cilët kanë trajtuar dy rastet e 11 vjeçares, e cila po dyshohet se është dhunuar nga persona të ndryshëm.
Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar, Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hoda.
“Ajo çka mund të them tani është se kemi nisur hetimin paraprak që të shohim dhe verifikojmë se cilat kanë qenë veprimet ose neglizhencën eventuale të zyrtarëve policor në lidhje me dy rastet e raportuara për vajzën e mitur”, tha Hoda.
Hodaj shtoi se varësisht nga të gjeturat gjatë këtij hetimi ne do të ndërmarrim edhe veprimet e tjera ligjore që ka IPK në bazë të legjislacionit në fuqi.
Ky institucion merret me rastet penale të zyrtarëve policor pra atyre që bien ndesh me ligjin.
Janë të shumta rastet kur IPK kryen edhe inspektime të ndryshme brenda departamenteve të ndryshme të Policisë së Kosovës dhe del me gjetje dhe rekomandime.
Në dy raste të ndara një 11 vjeçare po dyshohet se ka qenë viktimë e dhunimit. Përveç dhunimit, vajza e mitur po dyshohet se ka qenë edhe e trafikuar dhe është përdorur për shërbime seksuale.
11 persona tashmë janë vënë në pranga për dy rastet që i kanë ndodhur të miturës.
MË 27 gusht të këtij viti, policia arrestoi 5 persona si të dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares në lokacione të ndryshme.
Vepra penale dyshohet se është kryer përgjatë një intervali kohor prej shtatë orësh.
Ditë më parë ishte raportuar se vajza kishte dosje në Zyrën për Mbrojtjen e Viktimave në cilësinë e viktimës së trafikimit.
Për këtë çështje janë arrestuar gjashtë persona gjatë ditës së premte.
Dy nga të arrestuarit e fundit dyshohen se dhunuan dhe trafikuan të miturën ndërsa të tjerët dyshohen për dhunim dhe shërbime seksuale.
Më 21 qershor të këtij viti, e mitura dyshohet se ishte takuar me gjashtë të dyshuarit të moshës madhore dhe të njëjtit e kishin dërguar në katër motele të ndryshme ku edhe pretendohet se kanë ndodhur veprat penale.
11 vjeçarja aktualisht gjendet në strehimore dhe është duke u trajtuar.
Në lidhje me rastin si përgjegjësi morale kanë dhënë dorëheqje Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti dhe ish- drejtori i burgjeve, Ali Gashi.
Në lidhje me rastin e 11 vjeçares pati lëvizje të tjera në polici. Drejtori i Policisë së Rajonit të Prishtinës, Fahredin Vërbovci, Drejtori i Operativës në Prishtinë, Shkelzen Xhafa, Komandanti i Stacionit policor “Veriu” Bekim Bislmi dhe Drejtori për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, Fehmi Xhata janë transferuar në pozicione të tjera.