Deputeti nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, ka konfirmuar edhe një herë se ai nuk do ta votojë marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Për këtë ai është i vendosur, sado që me këtë votë kundërshton vullnetin e qeverisë së udhëhequr nga partia e tij.
Për Gazetën Metro, Salihaj ka shpalosur më shumë detaje lidhur me qëndrimin e tij, si dhe atë nëse një situatë e tillë mund të përmirësohet nga zgjedhjet e parakohshme.
“Jo, nuk do ta votoj”, u përgjigj shkurt Salihaj, duke shtuar se sipas tij, nuk ka arsye që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme, dhe se zgjedhjet në fakt nuk e zgjidhin problemin e krijuar me rastin e Demarkacionit.
Salihaj tregon edhe nëse ka pranuar ndonjë kërcënim që të ndryshojë mendje.
“Kërcënime individuale nuk kam pasur, ndërsa kërcënime dhe presion politik publik po, këto tashmë dihen”, u shpreh Salihaj gjatë bisedës me gazetametro.net
Kujtojmë që kryeministri Isa Mustafa, paralajmëroi se qeveria do ta dërgojë këtë marrëveshje në Kuvend në fillim të muajit mars. E këtë marrëveshje në kuvend e mirëpret edhe vet Salihaj, kjo sepse sipas tij Demarkacioni duhet të debatohet, siç ka thënë ai, pa shtantazhe, e në fund të vendoset me votë të lirë.
“Fundin e gjithë kësaj nuk mund ta dimë, por çështja e demarkacionit duhet të vijë në Kuvend ,duhet të debatohet në mënyrë të qetë, pa tensione, kërcënime e shantazhe, dhe në fund të debatit të merret vendimi me votën e lirë të deputetëve. Votën e lirë të deputetit e garanton kushtetuta dhe askush nuk ka të drejtë ta kërcënojë apo shantazhojë deputetin lidhur me votën e tij”, u shpreh ai tutje.
“Kushdo që tenton ta bllokojë kuvendin apo t’i kërcënojë deputetët në çfarëdo mënyre, ai i bën dëm shtetit të Kosovës”, përfundoi Salihaj.
Përndryshe, përveç Salihajt, nga radhët e LDK’së, kundërshtues i hapur i rikonfimuar i Demarkacionit është edhe deputeti Shpejtim Bulliqi, i cili para dy ditësh, bashkë me grupin e pavarur të ekspertëve, prezantuan fakte të reja mbi vijën e demarkimit me Malin e Zi./gazetametro.net