Korrupsioni, procedurat burokratike dhe zbatimi jokoherent i ligjeve ndikojnë drejtpërdrejt te investitorët e huaj, thotë njohësi i klimës së biznesit dhe avokati Drilon Iseni, shkruan Alsat.
Sipas tij, të gjitha aspektet negative të potencuara nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit merren parasysh nga investitorët e huaj sepse ata mendojnë për investime afatgjate.
Ai vlerëson se përmirësimi i situatës varet nga vullneti politik dhe te dixhitalizimi.
“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit identifikon më shumë aspekte problematike të administratës dhe gjyqësorit të cilat mund të rezultojnë në veprime korruptive nga individë të caktuar. Aty përmendet mosinterpretimi koherent i ligjeve në zbatimin e tyre, ndryshimin e shpeshtë të rregullativës ligjore, prokurimet publike si dhe pavarësinë e gjyqësorit gjatë vendimeve për rastet konkrete. Gjithsesi, krejt këto ndikojnë në forma të ndryshme në veprime korruptive nga individë të caktuar të cilët keqpërdorin sistemin. Gjithsesi është një aspekt negative edhe për shtetin edhe për bizneset pasi që ka një paqartësi në punën e tyre afatgjate dhe kjo ndikon që ata në të ardhmen edhe të mendojnë variantin për t’u tërhequr nga Maqedonia për shkak sa nuk mund të përballohet një situatë e tillë. Në një institucion ligji i njëjtë zbatohet ndryshe dhe kjo shkakton huti edhe te bizneset. Ata bëjnë investime afatgjate dhe kanë nevojë që ta kthejnë investimin e tyre. Investitorët e huaj zakonisht janë referencë për tërheqjen e investimeve të tjera shtesë, prandaj aferat korruptive, mosfunksionimi i shtetit të së drejtës dhe pavarësia e gjyqësorit u pengon në punë por edhe në stimulimin e thithjes së investimeve të huaja. Ne i kemi raportet e faktorëve të ndryshëm relevant ndërkombëtarë dhe ato duhet të ndiqen me një përcaktim të fuqishëm politik dhe dixhitalizimi është një nga zgjidhjet për këto probleme”, tha Drilon Iseni, njohës i klimës së biznesit, avokat./ Alsat.mk