Driton Tali, ish-këshilltar politik i Albin Kurtit, ka folur për pasurinë e ish-presidentit Hashim Thaçi. Ai ka pyetur se sa mund të jetë pasuria e Thaçit, nëse Sami Lushtaku i ka 32 milionë euro pasuri, përcjell Bota sot.
Tali ka thënë se nga Fondi 20 milionësh i shtetit për ndihmë të akuzuarve nga Gjykata Speciale, duhet të përfitojnë ata që nuk janë bërë milionerë pas luftës.
Sipas tij, Hashim Thaçi dhe të tillët nuk duhet të përfitojnë.
Postimi i Talit:
Nëse Sami Lushtaku i paska 32 milionë euro pasuri, atëherë sa i ka Hashim Thaçi, si “shefi i shefave” që ishte?!
Sigurisht më shumë, sepse përndryshe s’do të mund t’i angazhonte pesë avokatë, nga të cilët katër super të shtrenjtë.
Pa u fut në atë se çka po i duhen gjithë ata avokatë kur ai është i pafajshëm dhe se ai (Thaçi) na krijoi Gjykatën Speciale, si një gjykatë të Kosovës, pikërisht për ta pastruar UÇK’në nga shpifjet e Serbisë the miqve të saj (të paktën kështu na thoshte atëherë kur bënte presion mbi deputetët e PDK’së për ta votuar) por ajo që desha ta them është se nga “Fondi 20 milionë euro”, të ndarë nga Buxheti për ndihmë juridike të akuzuarve të mundshëm, duhet të përfitojnë vetëm ata që nuk janë bërë milionerë pas Luftës.
Hashim Thaçi dhe si të tillët nuk duhet të përfitojnë. Ata le t’i financojnë vet pesë e gjashtë e sa të duan avokatë.
Është gjynah edhe prej të sëmurëve. E shihni si po na vdesin për mungesë të oksigjenit e milionerët e pasluftës …