Ish-presidenti i Kroacisë: Kosova të shohë modelin kroat për minoritete

‘Po’ të drejtave dhe lirive të serbëve, ‘Po’ një autonomie lokale, ‘Po’ pjesëmarrjes në nivel shtetëror. Por, ama ‘Jo’ një modeli që mund të krijojë ‘shtet brenda shtetit’.

Kështu thotë ish-Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, në një intervistë me Insajderin pyetur rreth Marrëveshjes Bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila u pajtua fillimisht në Bruksel e më pastaj edhe në Ohër për pjesën e Zbatimit, ku Kosova u zotua “të nis menjëherë” zbatimin e Nenit 7 për “dhënien e një niveli të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb të Kosovës”. Josipoviq është krejt në favor një aranzhimi për minoritetin serb që Kosovës nuk ia cenon funksionalitetit e saj të shtetit.

Josipoviq ka edhe një ide se si mund të bëhet një aranzhim i tillë që u garanton të drejtat dhe liritë serbëve të Kosovës, por ama pa defunksionalizuar shteti. Si shembull që liderët në Kosovë mund ta marrin, ai thotë se është modeli kroat. “Mendoj se modeli kroat i vendosur me Ligj Kushtetues për të drejtat e pakicave kombëtare është model i mirë që mund të frymëzojë liderët në Kosovë. Definitivisht, modeli duhet të sigurojë të drejtat e serbëve, e jo të krijojë ‘shtet-brenda-shtetit’”, thotë ish-presidenti kroat.

Megjithatë, Josipoviq është krejtësisht i qartë në atë se “çfarëdo plani që garanton paqe dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ia vlen ta ketë mbështetjen tonë”. Por, shprehet ai, gjatë tërë këtyre viteve është ndërtuar atmosferë që e ka penguar dhe vazhdon ta pengojë këtë. “Pengesa më e madhe në pranimin e cilitdo plan është klima politike që është ndërtuar për shumë, shumë vite, që realitetin e ri e ka bërë të papranueshëm për Serbinë”, na thotë Ivo Josipoviq.

Sa i përket palës së Kosovës dhe shqiptarëve, Josipoviq bën thirrje edhe për mirëkuptimin e tyre. “Shqiptarët duhet të kuptojnë ndjenjat dhe frikat e serbëve dhe të pranojnë zgjidhje që garanton siguri dhe barazi për serbët si qytetarë të Kosovës, të mbrojnë nevojat dhe traditat e tyre kulturore dhe fetare, dhe një autonomi të përshtatshme në pjesët e vendit ku numri i banorëve i etnisë serbe është i lartë”, thotë ai.

Të njëjtën gjë e thotë edhe për palën serbe. “E sot, pas luftës krejtësisht të panevojshme dhe të dëmshme të nisur nga Sllobodan Millosheviqi, është e qartë se realiteti i Kosovës dhe e ardhmja e saj është e pavarur. Dhe, Serbia këtë nuk mund ta ndryshojë. Liderët serbë që do ta kuptojnë këtë dhe që do të jenë të gatshëm të gjejnë paterna për bashkëjetesë miqësore mes dy shteteve dhe dy kombeve duhet të trajtohen si heronj, e jo si tradhtarë. Por, atyre u duhet të kenë partnerë edhe në Kosovë”, shprehet ish-Presidenti i Kroacisë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme