Ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë ditës së djeshme ka pasur një ndërhyrje kirurgjike në zemër.
Express merr vesh se Sejdiut, të mërkurën, i është bërë ndërhyrje në arterien koronare, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Tani pas operimit, gjendja e tij është e qëndrueshme.
Ish-Presidenti i Kosovës, i cili kishte marrë postin më të lartë në vend pas vdekjes së Ibrahim Rugovës në vitin 2006, është operuar në Spitalin Amerikan në Prishtinë. Siç merr vesh gazeta nga zyrtarë në këtë spital, atij i është vendosur një arterie koronare, ose siç njihet ndryshe “by-pass”.
Sejdiu ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, duke ardhur në krye të saj në vitin 2006.
Nga pozicioni i Presidentit të Kosovës, Sejdiu kishte udhëhequr bisedimet për statusin në Vjenë, të cilat janë zhvilluar me palën serbe me ndërmjetësim ndërkombëtar, e që në vitin 2008 kishin rezultuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.