Ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga paditet për shpifje

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është paditur për shpifje nga familja Berisha nga Suhareka, për shkak të deklaratave të saj publike, lidhur me rastin e Shyhrete Berishës.

Avokatja e Familjes Berisha, Vahide Braha, tha për Insajderin, se padia është bërë për shkak se Jahjaga ka thënë se Shyhrete Berisha, “është nxjerrë zvarrë nga shtëpia ku kishte jetuar me burrin dhe fëmijët e saj”.

Braha tha se seanca fillestare për këtë rast do të mbahet gjatë këtij muaji.

“Seanca fillestare do të mbahet më 14 shkurt në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, tha ajo.

Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me avokatin e Atifete Jahjagës dhe është në pritje të një përgjigje nga ai.

Shyhrete Berisha, e cila i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, ku iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, pas luftës kishte nisur një betejë gjyqësore për të marrë gjysmën e shtëpisë që ajo pretendonte se i takonte.

Për disa vite ajo u përball në proces gjyqësor me kunetërit e saj, Arben dhe Xhelal Berisha, deri në korrik të vitit të kaluar kur e fitoi rastin.

Gjykata në Suharekë mori vendim se Shyhrete Berisha është pronare e gjysmës së shtëpisë së banimit dhe po ashtu pronare e gjysmës së paluajtshmërisë së pronës në Suharekë.

Vëllezërit Arben dhe Xhelal Berisha janë ankuar në shkallën e dytë ndaj vendimit të Gjykatës së Suharekës.

Jahjaga ka dalë në mbrojtje të Shyhrete Berishës, ajo edhe pas vendimit të gjykatës pati disa fjalë për “Drejtësinë e mohuar”.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme