Aktakuza ndaj grupit të Azem Sylës ka vënë në sipërfaqe korrupsionin e krimin që ndodh në të gjitha institucionet e vendit.
Grupi kishte arritur që deri këtë vit të vazhdojë tregtinë me toka, duke përdorur dokumente false, kërcënuar e shantazhuar, por edhe duke dhënë ryshfet në secilin institucion që i duhej, raporton KTV.
Bazuar në aktakuzën e prokurorit të EULEX-it, Danillo Ceccarelli grupit i ishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet nga ish-prokurori i Prokurorisë Komunale Faik Hoxha për të mbyllur një rast.
Kjo është vërtetuar bazuar në përgjimet që i ishin bërë grupit, konkretisht biseda e 29 janarit 2010 ndërmjet Shpresim Ukës dhe Fahredin Gashit.
Shpresimi: Dani tha sonte do të më jap një përgjigje përfundimtare, nëse ai do ta përfundojë këtë javë apo jo dhe nuk e di se çfarë thoshte ai…
Faruku: Që do të thotë se ai do të përfundojë atë? Pra, ekziston mundësia që nuk mund të bëhet?
Shpresimi: Jo, puna është se ai prokurori, njeriu që kërkoi 20 mijë.
Pas kësaj, ish-prokurori i kishte kërkuar Policisë së Kosovës që të pushohen hetime, në mungesë provash.
Pas 3 vitesh, Hoxha e kishte lënë punën e prokurorit dhe tani ai është gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, përgjegjëse që të hetojë shkeljet e prokurorëve e gjyqtarëve, kanë thënë se ligji ua kufizon të hetojnë rastet më të vjetra se 2 vjet.
“Bazuar në ndryshimin që i është bërë ligjit, çdo shkelje që kalon periudhën 2 -vjeçare, parashkruhet dhe nuk mund të iniciohet hetim”, ka thënë për KTV-në Zef Prendrecaj, që udhëheq këtë Zyrë.
Televizioni ka pyetur edhe kryetarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, nëse ka mandat dhe do të marrë ndonjë masë ndaj gjyqtarit Faik Hoxha, por ai ka thënë se kjo nuk i takon atij.
“Sikur të kishte diçka serioze lidhur me çështjen për të cilën ju jeni të interesuar sigurisht se prokurori i çështjes në rastin Azem Syla, etj, do të vepronte. Sikurse e kam thënë më lart, unë nuk kam asnjë njohuri lidhur me këtë çështje”, ka thënë kryetari Ibrahimi.
Bazuar në aktakuzën e Prokurorisë, grupi i Azem Sylës, ryshfet i kishte dhënë kryetarit të Gjykatës Komunale, personave zyrtarë në Zyrën Kadastrale të Prishtinës, kanë dhënë ryshfet në Agjencinë Shtetërore të Arkivit të Kosovës, AKP, Prokurori dhe Polici, për të siguruar transferim sa më të shpejtë dhe të paligjshëm të pronave nga serbët në pronarë shqiptarë.