Kryeministri Rama prezantoi këtë të hënë projektin për rikthimin në funksion të ish-Uzinës së Autotraktorëve, duke e kthyer atë në një qendër të industrisë ushtarake për prodhimin e uniformave dhe montimin e mjeteve të blinduara.
“Në këto mijëra metra katrorë që janë këtu, që sot siç e shohim të gjithë janë jashtë çdo funksioni, do të krijojmë një hapësirë ku do të ketë punë, do ketë ekonomi dhe do ketë zhvillim”, tha Rama.
Nisma e prezantuar ngjalli debat dhe shqetësim në mesin e banorëve të zonës përreth. Pavarësisht se u paraqit si një projekt me rëndësi strategjike për forcën e sigurisë, fakti që vendndodhja e ish-Uzinës është mes pronave private dhe banesave të shumta, i ka shqetësuar banorët që preken drejtpërdrejt nga ky projekt. A do të jenë ata të sigurt në ambientin e ri që po krijohet? A do të ketë kompensim për ata që mund të preken nga ky zhvillim?
“Zona ku ne banojmë është shpallur zonë rindërtimi, na jepni një shpjegim cfarë do të bëhet me ne atje poshtë. Kam aplikuar për të bërë bashkimin e trojeve me banesën dhe nga Hipoteka nuk na jepet asnjë komunikim”, tha një banor.
“Jemi 16 shtëpia që kemi tualetet në asfalt. Nuk kemi ku ti çojmë. Nuk e bëjnë atë kanalin për ta lidhur me kolektorin kryesor”, tha banori tjetër.
Rama thekson rëndësinë e këtij projekti për forcimin e sigurisë kombëtare, por banorët ngritën si shqetësim infrastrukturën e dobët të zonës. Ky projekt sipas banorëve duket të jetë një përpjekje e nxituar për të plotësuar nevojat e ushtrisë, pa marrë parasysh pasojat për komunitetin lokal.
“Unë nuk kam ardhur të të them për legalizimin, sepse legalizimin e kam bërë vetë. Besoj e kupton si e kam bërë, si gjithë të tjerët. A ka mundësi të na ndihmoni për rrugën, se nuk po ju kërkojmë as të na jepni lekë as të na fusni në punë. Por rrugën. Në momentin që don të bësh një kotec pulash, të vjen IMT, IKMT, policia bashkiake dhe të vijnë të thonë 5 mijë njëri, 5 mijë tjetri”, tha banori tjetër.
Disa prej banorëve denoncuan hapur korrupsionin që hasin qytetarët gjatë procesit të legalizimit. Madje Rama debatoi gjatë me një nga qytetarët e pranishëm në takim
Kthimi i një zone me potencial të madh social, si ish-Uzina e Autotraktorëve, nga një projekt për banesa sociale në një sipërmarrje fitimprurëse për një kompani private si TIMAK, përfaqëson një devijim shqetësues nga interesi publik. Ajo që nisi si një premtim për të adresuar nevojat e shtresave në nevojë, sot po kthehet në një model ku përfitimi ekonomik prevalon mbi përgjegjësinë sociale. Ky transformim nuk është thjesht një ndryshim kursi, por një sinjal alarmi për mënyrën se si trajtohet prona publike dhe e ardhmja urbane, jo më në funksion të qytetarit, por në shërbim të interesave të ngushta të privatit.