Toksinat nga bakteri stafilokoku shkaktuan helmimin e 140 fëmijëve në shkollën fillore “Gjorgija Pulevski” në Shkup. Këtë e kanë vërtetuar edhe rezultatet e mostrave të ushqimit që iu janë servirur nxënësve nga klasa e parë deri në të tretën të cilët ditë më parë ankoheshin për dhimbje të forta stomaku.
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) saktëson se në ushqimin e nxënësve gjegjësisht në një ëmbëlsirë janë gjetur gjurmë të bakterit të rrezikshëm, që nxënësit kanë marrë si vakt të ngrohtë dhe që i kanë dorëzuar shkollës nga një kompani e jashtme.
Prindërit kanë njoftuar drejtorin dhe mësuesit për situatën, pas së cilës kuzhina e shkollës është mbyllur menjëherë dhe që atëherë nuk është ofruar ushqim për nxënësit.